A mund të parandalohej katastrofa natyrore në Tetovë?
Katastrofa natyrore në Tetovë mund të parandalohej. Qendra për menaxhim me kriza në një takim me krerët e komunave të Pollogut 3 vite më parë, ku merrte pjesë edhe kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi, kishte tërhequr vërejtjen për ndërmarrjen e masave parandaluese në rast rreziku nga vërshimet.

Lajme
Madje përmes një letre alarmuese drejtuar 85 komunave në vend, ish drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza sugjeronte ndërmarrjen e masave konkrete në vendbanimet e rrezikuara.
“Kontrollimi i shtretërve të lumenjve, kontrollimi i rrjetit të tubacioneve të ujësjellësit në territorin e komunës suaj me qëllim që të vërtetohet nëse janë të qëndrueshme ndaj presionit normal të ujit”.
“Ndërhyrje me burime të nevojshme nga ndërmarrjet publike për mënjanimin e mbeturinave dhe pengesave të tjera artificiale nga rrjedhat e lumenjve, sidomos kanaleve kullues që derdhen në lum. Zhvillim i komunikimit të vazhdueshëm me Qendrën për menaxhimin e krizave për informimin në kohë të ngjarjeve që mund të nxisin pasoja të padëshiruara”, theksohej ndër të tjera në letrën e Qendrës për menaxhim me kriza, raporton Alsat M.
Por, pavarësisht alarmimit të tillë vite me radhë Tetova sërish u gjend e papërgatitur, ndërkohë që kryetarja e Komunës Teuta Arifi, situatën e krijuar në vend e quajti fatkeqësi natyrore.
“Normalisht që këto janë emergjenca natyrore të cilat edhe mund të ndodhin por ne jemi dhe vazhdojmë të jemi afër qytetarëve tanë”, tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.
Deri më tani as autoritet lokale dhe as ato qendrore nuk kanë marr përgjegjësi për pasojat që shkaktuan përmbytjet në Tetovë dhe që morën jetë e 5 personave. Opozita akuzoi pushtetin për keq-menaxhim me përmbytjet në Tetovë. Sipas tyre fatkeqësia nuk ishte thjesht natyrore, por edhe politike që erdhi si pasojë e mungesës së investimeve në infrastrukturën e qytetit.