Gjidhënie më të gjatë për mushkëri të shëndosha

Sa më gjatë që t’i jepni gji fëmijës suaj, aq më të shëndosha do t’i ketë mushkëritë.

Lifestyle

12/07/2015 09:53

Fëmijët të cilët kanë pirë gji së paku katër muaj mund të kenë funksion më të mirë mushkëror në krahasim me fëmijët të cilët shumë më shkurtë kanë pirë gji, si edhe fëmijët të cilët janë ushqyer me shishe.

Këto janë rezultatet e një studimi më të ri njofton “Reuters Health”.

Shkencëtarët kanë zbuluar se funksioni i mushkërive është shumë më i mirë te dhjetëvjeçarët, të cilët kanë pirë gji së paku katër muaj, ndërsa njëkohësisht edh kapaciteti mushkëror i tyre ka qenë më funksional, transmeton Telegrafi.

“Aktiviteti fizik i nxitur nga thithja e gjirit, afërsisht gjashtë herë në ditë brenda katër muajsh, mund të rezultojë me rritjen e kapacitetit mushkëror dhe rritjen e kalueshmërisë së ajrit te fëmijët të cilët kanë pirë gji, në raport me fëmijët të cilët janë ushqyer me shishe”, është shprehur për “Reuters Health”, Dr. Ikechukwu U. Ogbuanu nga Universiteti i Karolinës Jugore.

Ogbuanu dhe kolegët e tij kanë përcjellë ushqyerjen e fëmijëve të lindur në vitin 1989 në ishullin Wight në Britaninë e Madhe. Ndërmjet 1.033 fëmijëve të cilët janë testuar pas dhjetë vitesh, 39% e tyre kishin pirë gji më shumë se katër muaj, ndërsa rreth 40% e fëmijëve kishin pirë gji në afat më të shkurtër kohor se katër muaj. 21% e fëmijëve nuk kanë pirë aspak gji, por janë ushqyer me shishe.

Testet standarde të funksionit të mushkërive kanë treguar se mushkëritë e fëmijëve, të cilët kishin pirë gji për katër e më shumë muaj, ishin më të fuqishme në krahasim me mushkëritë e fëmijëve të cilët ishin ushqyer me shishe. /Telegrafi/