Rama: Zgjedhje historike!
Pak pas mbylljes së orarit zyrtar të votimit, kryeministri Edi Rama ka falenderuar përmes rrjeteve sociale të gjithë qytetarët që morën pjesën në proces.
Lajme
“I falenderoj dhe u shpreh me përulësi mirënjohjen të gjithë atyre që me votën e tyre e investuan besimin tek kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane”, shkruan Rama.
Kryeministri shoqëron postimin e tij me një video të shkurtër, me shënimin: “Kjo është kartolina e falenderimit tim për të gjithë zgjedhësit e këtij 21 qershori historik”.
“Sot u votua reforma e madhe e riorganizimit administrativ të shtetit shqiptar që nga nesër do të jetë një shtet më modern. U vulos vendimi historik për të barazuar përfaqësimin e grave me burrat në kuvendet e reja vendore të Shqipërisë. U vendos status i barabartë qytetarie mes banorëve të qytetit dhe fshatit dhe u hap një epokë e re në marrëdhëniet mes familjeve që jetojnë në fshat dhe qeverisë vendore”, shton kryeministri.
Në fund Rama thotë se “qytetarët e përgjegjshëm të këtij vendi, i bënë zgjedhjet e sotme më të mirat, më të lirat e të ndershmet që kemi zhvilluar deri më sot. “Po padyshim, edhe më domethënëset në historinë e zgjedhjeve vendore në Shqipëri”, mbyll postimin e tij kryeministri.