KEK-u po prodhon me kapacitete maksimale
Korporata Energjetike e Kosovës(KEK), ka njoftuar që ka arritur gjatë ditës të prodhoj një sasi prej 835 megavateve për orë të energjisë elektrike. Sipas njoftimit të KEK-ut, prodhimi ditor është karakterizuar me stabilitet edhe pse prodhimi maksimale nuk ka qenë i zakonshëm për këtë kompani për një kohë të gjatë.
Lajme
“Ky prodhim është në suaza të Planit të hartuar nga menaxhmenti i KEK-ut dhe i Divizioneve përkatëse të tij, por edhe është në përputhje me Planit elektroenergjetik për vitin 2015”, thuhet në njoftim.
Sipas KEK, prodhimi me kapacitete maksimale ka ardhur nga dy termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” dhe është bërë i mundur pas kthimit të bllokut A3 në funksion.
KEK-u ka njoftuar që ky rezultat i prodhimit të energjisë elektrike synohet që të vazhdoj gjatë gjithë veres.
“Vetë ky rezultat tregon më së miri punën dhe angazhimin e punëtorëve të KEK-ut dhe drejtuesve të saj, përkatësisht mundin dhe sakrificën e tyre për të prodhuar dhe përmbushur planin edhe nëpër këto kushte jo të mira, sidomos nga i nxehti që po mbretëron këtyre ditëve, i cili po vështirëson punën e tyre. Përkundër, kësaj rezultatet janë shumë të kënaqshme dhe me plan”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Korporata Energjetike e Kosovës, ka pasur probleme me prodhimin e energjisë elektrike pas një shpërthim që kishte shkaktuar një avari vitin e kaluar në termocentralin Kosova A.