Shala: Xhafolli do të mbetet një zë i rëndësishëm i letërsisë shqipe
Ministri i Kulturës, Kujtim Shala i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së shkrimtarit Gani Xhafolli, i cili sot ka ndërruar jetë.
Lajme
Shala në telegramin e tij, dërguar familjes Xhafolli, ka thënë se vdekja e tij është humbje për të gjithë. Ministri ka theksuar se shkrimtari Xhafolli do të mbetët një pjesë e rëndësishme e letërsisë shqipe.
Telegrami i plotë i ministrit Shala:
E nderuara familja Xhafolli,
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e të dashurit tuaj dhe shkrimtarit tonë të respektuar.
Ndarja nga jeta e Gani Xhafolli, është një humbje e rëndë jo vetëm për ju, por edhe për kulturën dhe letërsinë shqipe.
Ganiu, me veprat e tij letrare, do të mbetet një zë i rëndësishëm i letërsisë shqipe, sidomos i asaj për fëmijë. Ai, me vargjet e tij, të shkruara me dashuri për jetën dhe të bukurën, fitoi shumë e shumë lexues, të cilët do ta përkujtojnë përgjithmonë.
Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt veprën e tij të çmuar letrare.
Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të autorit Gani Xhafolli.
Shkrimtari dhe poeti i njohur për fëmijë, Gani Xhafolli sot ka ndërruar jetë. Ai u lind në fshatin Drenovc afër Prishtinës në vitin 1945.