Komuna e Prishtinës, art në hapësira publike (Foto)
Një skulpturë në formë nalle ka zënë vend sot në parkun e qytetit në Prishtinë. Kjo, sipas komunës së Prishtinës është edhe njëra prej punimeve që janë duke u vendosur në kuadër të projektit “Arti në hapësirat publike.
Lajme
Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, me rastin e vendosjes së kësaj skulpture e ka parë si shumë të rëndësishme që të ketë vepra të artit nëpër hapësira publike.
“Konsiderojmë se është shumë e rëndësishme që të kemi vepra të artit brenda hapësirave publike, të cilat në të njëjtën kohë do të kenë edhe një funksion tjetër, si p.sh në rastin e nallës kur fëmijët dhe qytetarët do të mund ta shfrytëzojnë atë për të pushuar ose për t’u argëtuar”, citohet të ketë thënë Bogujevci, e cila tha se edhe në të ardhmen do të realizohen projekte të ngjashme në hapësira të ndryshme të kryeqytetit.
E autori i kësaj vepre Burim Canolli, ka thënë se motivim për realizimin e saj kanë qenë elementet tradicionale, ndërsa e ka përshtatur që të shërbejë edhe si argëtim për fëmijët, mirëpo edhe si ulëse për vizitorët e parkut.
Skulptura e nallës u realizua në kuadër të projektit “Culture For All” dhe u mbështet nga zyra e BE – së në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës.
Lila Skaraveli, menaxhere e projektit “Culture For All”, tha se ndihet e kënaqur për realizimin e këtij projekti dhe se qytetarët, veçanërisht fëmijët, do të mund ta shfrytëzojnë atë. Ajo tha se vepra të ngjashme arti do të vendosen edhe në qytete të tjera të Kosovës.