Pronarët e subjekteve private, shkelësit më të mëdhenj të Ligjit të punës

Të punësuarit në sektorin privat në Kosovë flasin për shkelje të mëdha të të drejtave të tyre nga punëdhënësit. Orari i stërzgjatur i punës, punësimi pa kontratë pune dhe pagesa jo e rregullt janë vetëm disa nga shkeljet me të cilat përballen këta punëtorë.

Lajme

24/05/2015 10:29

Personi me iniciale I.I. është i punësuar në një kompani private tregtare në Kosovë. Ai fillimisht tregon se për tre vjet ka punuar pa kontratë pune dhe me një pagë të vogël.

Pas tre vjetësh ka arritur të nënshkruajë një kontratë pune me kompaninë, por siç thekson ai, kontrata është vetëm një letër, e cila aspak nuk respektohet.

“Në kontratë paga është 400 euro, derisa unë këtë pagë nuk e marr rregullisht. Në kontratë shkruan se duhet të punoj tetë orë në dite, unë punoj deri në 10 apo 12 orë. Në kontratë shkruan se dy ditë në javë i kam pushim, derisa unë punoj 6 ditë në javë dhe vetëm një ditë e kam pushim”, tregon ai.

Përveç kësaj, trajtimi i punëtorëve, shton ky punëtor, nuk është aspak në nivelin e duhur.

“Arroganca e shefave është e pranishme çdo herë. Nënçmohesh shumë herë. Puna që ti e kryen, nuk vlerësohet. Nëse punon mirë askush nuk të vlerëson, por nëse bën një gabim në punë, qortimet janë të mëdha, deri edhe me largim nga puna”, shton ai.

Të gjitha këto shkelje, të cilat sipas ligjeve në fuqi dënohen. Ai nuk i ka raportuar tek organet kompetente asnjëherë, nga frika se mund të mbetet pa punë dhe pa ato pak të ardhura që merr.

Në Kosovë, ligji i cili mbron të drejtat e punëtorëve është në fuqi që nga viti 2011, por që si i tillë ky ligj nuk ka gjetur zbatim, në veçanti për punëtorët që punësohen në sektorin privat, pasi që për punëtorët që punojnë në sektorin publik ky ligj ka gjetur zbatim.

Në sektorin privat, sipas të dhënave, janë të evidentuar mbi 222 mijë punëtorë, që është numër shumë më i lartë se i atij në sektorin publik, që është 80 mijë.

Edhe nga hulumtimet e bëra nga disa OJQ, po ashtu është evidentuar shkelje flagrante e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat.

Nga Qendra për Politika dhe Avokim në Kosovë, e cila ka bërë një hulumtim të zbatimit të Ligjit të punës dhe Ligjit për siguri dhe shëndet në punë, thonë se nga hulumtimi del se ky ligj respektohet fare pak nga punëdhënësit në sektorin privat.

“Të dhënat nga terreni tregojnë se 38.46 për qind e të intervistuarve nga sektori i shërbimeve, tregtisë dhe hotelerisë, punojnë pa kontratë pune, ndërsa në sektorin e ndërtimit 59.76 për qind janë deklaruar të mos kenë kontratë pune. 81 për qind e të punësuarve në sektorin e ndërtimit janë deklaruar se brenda një jave punojnë nga 50-60 orë pune, ndërsa vetëm 9.82 për qind janë kompensuar me para për orët shtesë të punës”, thuhet në hulumtim.

Sa i përket pushimit vjetor, 73.17 për qind e punëtorëve të ndërtimtarisë janë deklaruar së nuk u paguhet pushimi vjetor.

Sipas këtij hulumtimi të Qendrës për Politika dhe Avokim, thuhet se në gjykatat e Kosovës, aktualisht janë të pazgjidhura 1640 konteste civile të punës, vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës presin për t’u zgjidhur 139 raste, ndërsa Prokuroria Themelore e Prishtinës është duke përgatitur një lëndë penale që ka të bëjë me shkelje me karakter penal nga marrëdhënia e punës.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Basri Ibrahimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk janë të kënaqur me nivelin e respektimit të të drejtave të punëtorëve që punojnë në sektorin privat.

“Ne nuk e kemi arritur këtë gjendje të mirë të respektimit të të drejtave të punëtorëve, kemi ende nevojë për avancim të të drejtave të punëtorëve”, thotë Ibrahimi.

Niveli më i ulët i respektimit të të drejtave të punëtorëve, sipas Ibrahimit, është në kompanitë ndërtimore. Në këto kompani shton ai, kanë hasur në një numër të madh të punëtorëve pa kontrata pune, pastaj në kompani të sigurimeve fizike dhe ato të pastrimit. .

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi thotë se kanë qenë mjaft të angazhuar në miratimin e ligjeve, të cilat mbrojnë të drejtat e punëtorëve, por që nuk janë të kënaqur tani me respektimin e këtyre të ligjeve.

“Aty ka shkelje flagrante të të drejtave të punëtorëve, ka njerëz pa kontrata pune, orari i stërzgjatur i punës, mospagesa me rregull, mosdhënia e pushimeve gjatë ditëve të festave, mosdhënia e pushimit vjetor dhe shumë të drejta tjera po iu shkelen punëtorëve nga punëdhënësit”, thekson Arifi.

Gjobat për ata që nuk e respektojnë Ligjin e punës në Kosovë, kapin shumën deri në 35 mijë euro.

Inspektorati i punës në vitin 2014 kishte realizuar 9.337 inspektime, ndërsa sipas Administratës Tatimore të Kosovës, deri në fund të vitit 2014 ishin aktive 71.244 biznese, që i bie se inspektorati ka inspektuar vetëm 13.1 për qind të bizneseve.