Sipas Daçiqit a do të ketë “provokacija” në Tiranë gjatë vizitës së Vuçiqit

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 maj viziton Tiranën ku do të pritet nga homologu i tij shqiptar Edi Rama. Gjatë vizitës së Ramës në Beograd, deklaratat e tij për Kosovën ngjallën zemërim te serbët, dhe ato u cilësuan si provokuese, saqë termi “provokacija” ishte më i përdoruri për javë të tëra nga mediat serbe.

Lajme

23/05/2015 19:01

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në një intervistë për Top Channel, është pyetur edhe për këtë temë, por ai ka thënë se qëndrimet e Serbisë dhe Shqipërisë, sa i përket Kosovës janë të ndryshme, dhe ato nuk ka nevojë të ngriten fare si temë, transmeton lajmi.net.

Ai thot se vizita nuk ka pse të përfshihet nga provokime pasi të gjithë e dijnë qëndrimin e secilës pale për Kosovën, andaj sipas tij duhet folur për pikat që i bashkojnë palët.

“Janë të njohura tashmë se qëndrimet e Serbisë dhe Shqipërisë janë të ndryshme sa i takon çështjes së Kosovës dhe ne e dimë me saktësi se cilët janë pikat tona të dallimit në këtë çështje, cili është ndryshimi dhe diferenca jonë në këtë pikë. Dhe unë mendoj ne duhet t’i lëmë mënjanë ato, duke u përqendruar tek gjërat që na bashkojnë, duhet të insistojme në këto çështje për të cilët mund të arrijmë marrëveshje. Këto çështje nuk janë për deklarata apo diskutime publike. Unë mendoj se vizita e kryeministrit tonë, Vuçiç, duhet të shfrytëzohet për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe për thellimin e stabilitetit rajonal. Më duhet të nënvizoj se këto janë vizita të nivelit të lartë pas shumë dekadash, prandaj nuk duhet të nënvlerësojmë rëndësinë e të tilla vizitave për të diskutuar disa çështje që ne nuk ndajmë të njëjtat pikëpamje”.

Daçiq ka thënë se mesazhi i cili kryeministri serb do të përqoj në Tiranë është ai i paqes, bashkëpunimit dhe shtrirjes së dorës jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë rajonin. “Mendoj që na duhet më shumë bashkëpunim në rajon, dhe gjithë rajonit e më gjerë me Europën për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne”.

Për ngjarjet në Kumanovë, Daçiq ka thënë se ato kanë efekte negative për gjithë rajonin, por sipas tij është në detyrën e politikanëve që të marrin përgjegjësitë për të investuar në angazhimin e ndërtimit të paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

Ndërsa, i pyetur nëse Serbia ndanë të njëjtin qëndrim me ministrin e Jashtëm rus se, Shqipëria dhe Bullgaria janë duke u përpjekur për ndarjen e Maqedonisë, Daçiq ka thënë se fuqitë e mëdha kanë të drejtë të bëjnë të tilla deklarata. “Ne jemi të vegjël dhe nuk e kemi privilegjin të komentojmë. Vetëm dua të them se në rajon duhet të bëjmë kujdes në ato që bëjmë dhe duhet të kontribuojmë në stabilizimin e situatës”.

E duke folur për politikën e jashtme të Serbisë, nëse ajo është në vijë me BE-në apo Rusinë, Daçiq ka thënë se ajo nuk është as e BE-së dhe as e Rusisë. “Politika jonë e jashtme është politika e jashtme e Serbisë. Më duhet të rikujtoj se Serbia nuk është ende anëtar me të drejta të plota në BE. Gjatë kësaj kohe që ne po punojmë për t’u bërë anëtar me të drejta të plota në BE, po punojmë për harmonizimin e politikave tona të jashtme me ato të BE-së”.

“Më duhet gjithashtu të them se ne kemi marrëdhënie të mira tradicionale me Rusinë, sikundër edhe me vende të tjera e nuk duam t’i neglizhojmë ato për asnjë arsye. Në këtë kuptim nuk kemi ndonjë dilemë hamletiane, të jesh a të mos jesh, apo të zgjedhësh këtë apo atë. Ne dëshirojmë t’i kemi të dy si aleatë në pasjen e marrëdhënieve të mira. Ka edhe çështje të tilla, për të cilat nuk mund të dakordësohemi me vendimet politike apo orientime të Shqipërisë. Por arrijmë të kuptojmë se në vende të ndryshme politikat e tyre të jashtme ndjekin linjat e interesave që kanë shtetet e tyre”, ka thënë Daçiq. (lajmi.net)