Kryetari Veseli takoi homologë nga vende të ndryshme të rajonit

Në takime u potencua nevoja për thellimin e bashkëpunimit në mes vendeve të Evropës Juglindore në funksion të paqes, stabilitetit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit të përshpejtuar evropian.

Lajme

23/05/2015 16:16

Në ambientet e takimit të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që po zhvillon punimet në Tiranë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, pati takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të rajonit, pjesëmarrës në këtë takim.

Kryetari Veseli u prit në një takim të veçantë nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili është edhe nikoqir i Sesionit të Dytë të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, me të cilin bisedoi për raportet e shkëlqyeshme që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve, por edhe për mundësitë e forcimit dhe zgjerimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi, duke u dhënë kështu një hov të ri marrëdhënieve ndërparlamentare.

1

Po ashtu, kryetari Veseli zhvilloi takime edhe me kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, Milan Brglez, kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Cemil Çiçek, me kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Josip Leko, si dhe atë të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq.

Në të gjitha këto takime u potencua nevoja për thellimin e bashkëpunimit në mes vendeve të Evropës Juglindore në funksion të paqes, stabilitetit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit të përshpejtuar evropian. Nga homologët e tij në këto takime, kryetarit Veseli iu bë ftesë për vizita zyrtare, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar.