Veselinoviq ndërton hotel me 5 yje në Kopaonik

Biznesmeni kontraverz serb nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, do të ndërtojë një hotel luksoz me 5 yje në qendrën e skijimit në Kopaonik.

Lajme

23/05/2015 10:09

I akuzuari për krime ekonomike në Serbi dhe për nxitje të trazirave në veri të Kosovës si dhe për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, e ka blerë një pronë në këtë qendër turistike nga i ati i teniserit serb, po nga pjesa veriore e Kosovës, Novak Gjokoviq.

Bëhet fjalë për një parcelë 900 metra katror, të cilën Sërgjan Gjokoviq e kishte blerë para disa viteve, ku kishte planifikuar ta ndërtonte një hotel.

Burime të gazetës serbe Blic, kontrata është bërë dhe e gjithë projekt-ideja i kalon në pornësi Veselinoviqit.

“Për familjen Gjokoviq ky kompleks ka qenë më shumë emocional sesa interes afarist. Pasi që Novak Gjokoviq, hapat e parë të tenisit i kishte nisur në Kopaonik. Për këtë arsye Sërgjan Gjokoviq i kishte ofruar Zvonko Veselinoviqit këtë projekt, duke pasur parasysh se edhe janë shokë të vjetër nga vendlindja (Zveçan)”, ka thënë burimi i Blicit, transmeton lajmi.net.

Lajmin e ka konfirmuar edhe vet Veselinoviq, i cili ka pranuar se është në negociata për blerjen e kësaj parcele.

“Ligjërisht objekti ende nuk është në pronësinë time, por pres që kjo të ndodhë brenda këtyre ditëve”, ka thënë ai.

Vëllezërit Zvonko dhe Zharko Veselinoviq ishin akuzuar për një sërë aktivitetesh kriminale, përfshirë edhe trazirat në vitin 2011 në Mitrovicën e veriut.

Më 20 dhjetor të vitit 2011, Veselinoviq ishte arrestuar nga policia serbe në Kopaonik, nën dyshimin se ka prodhuar dhe ka nxjerrë në qarkullim armë dhe materie shpërthyese. Por, ky arrestim kishte ndodhur pasi që KFOR-i e kishte quajtur si organizatorin kryesor të sulmeve mbi pjesëtarët e forcave ndërkombëtare në Jarinë, në kufirin Kosovë – Serbi.

Më pas, Veselinoviq ishte ballafaquar me akuzën se në mënyrë të jashtëligjshme kishte përvetësuar 32 kamionë në pronë të kompanisë “Hipo-Alpe Adrija”.

Veselinoviq, është përmendur edhe në kontekstin e barrikadave në veri të Kosovës, të cilat atë vit ishin vendosur nga serbët lokalë, në afërsi të vendkalimit kufitar.

Gjithashtu, mbahet mend edhe deklarata e atëhershme e liderit opozitar nga Partia Progresiste Serbe, Tomislav Nikoliq, aktualisht kryetar i Serbisë, i cili pati thënë se “duhen mjaft fakte që të arsyetohet arrestimi i njeriut, i cili i ka ndihmuar qëndresën e serbëve në tre muajt më të vështirë”. (Lajmi.net)