Faktorizimi i femrës nuk bëhet vetëm duke respektuar kuotën gjinore
Kryetarja e re e Gruas Demokratike të Kosovës (GDK), Justina Shiroka-Pula, është zotuar se do ta fuqizojë këtë forum të PDK-së dhe do ta faktorizojë femrën në përgjithësi.

Lajme
Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të GDK-së, në këtë intervistë për “Epokën e re” ajo ka treguar se ka projekte konkrete për ta faktorizuar femrën edhe në nivele lokale. “Mendojmë ta bëjmë një platformë dhe një strategji me disa politika zhvillimore rreth projekteve konkrete në resorë të ndryshëm. Kjo nënkupton që t’i pozicionojmë gratë dhe t’i faktorizojmë ato, jo si gra, por si profesionaliste që meritojnë të pozicionohen në vende të rëndësishme”, ka thënë Shiroka-Pula.
Ish-ministrja e Energjisë dhe Minierave ka treguar se faktorizimi i femrës nuk bëhet vetëm duke respektuar kuotën gjinore, por duke i pozicionuar femrat në poste vendimmarrëse. “Derisa gratë nuk janë në pozita vendimmarrëse, mendoj se shoqëria shqiptare nuk mund të jetë demokratike dhe nuk mund të ecë përpara”, është shprehur ajo.
Shiroka-Pula nuk është shprehur e kënaqur me përfaqësimin e femrës në Qeverinë aktuale. Ajo ka thënë se kabineti aktual mund ta përmirësojë këtë gabim, duke vendosur më shumë femra në pozitën e zëvendësministrave. “Përfaqësimi i grave në Qeveri nuk është i kënaqur. Mendoj se do të kem hapësirë që Qeveria ta përmirësojë këtë mangësi, duke i pozicionuar gratë si zëvendësministre, në borde të ndryshme apo në pozita të tjera vendimmarrëse. Pra, përfaqësimi i femrës në Qeveri është shumë i vogël dhe kjo është ndoshta një prej mangësive të para që e ka kjo Qeveri”, ka thënë ajo.
Kryetarja e re e Gruas Demokratike të Kosovës është zotuar se do të kërkojë nga lidershipi i PDK-së të rritet numri i femrave në pozita vendimmarrëse. Ajo është shprehur e kënaqur edhe me rezultatet që femrat kanë arritur në ato pozicione që u janë dhënë. “Mund të them se jam shumë e kënaqur me rezultatet e femrave apo grave që kanë qenë në pozita vendimmarrëse. Nëse i krahasojmë ato me meshkujt, shoh se kanë qenë përafërsisht të njëjtë. Mendoj se edhe më tutje si shoqëri duhet t’i promovojmë femrat, sepse ato janë më të përgjegjshme dhe më të përkushtuara në punë”, është shprehur Shiroka-Pula.