Sela: Lufta në Kumanovë u zhvillua për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni
Lideri i lëvizjes për reforma në PDSH, Zijadin Sela, njëherësh edhe kryetar i Komunës së Strugës, ka thënë se djemtë nga Kosova erdhën për të luftuar në Kumanovë për avancimin e çështjes shqiptare në Maqedoni.

Lajme
“Më shumë 90 për qind e atyre që luftuan, kanë ardhur në Kumanovë nga të njëjtat principe për të cilat ishin të motivuar në luftën e UÇK-së të vitit 2001 në Maqedoni. Sepse realisht të njëjtat padrejtësi ju bëhen shqiptarëve si në vitin 2001, madje edhe më keq”, është shprehur Sela për RTSH, transmeton agjencia e lajmeve INA.
Sela ka thënë se në këtë konflikt ka pasur edhe elemente manipulimi nga shërbimet sekrete. “Patjetër se duhet të ketë pasur element manipulimi nga shërbimet sekrete. Por, kuptohet shërbime sekrete që kanë folur gjuhën shqipe. Kjo është formë e keqe e veprimit të shërbimeve sekrete”, ka theksuar Sela.
Sipas tij, aksioni i policisë maqedonase në Kumanovë ishte akt terroristë, sepse u gjuajt mbi një lagje të banuar me popullatë civile. “Atje u dëmtuar prona e qytetarëve, por për fat të mirë nuk ka pasur viktima. Jo se këtë nuk e donte policia maqedonase, por ishte një fat në fatkeqësi”, është shprehur ai.
Ai shprehu habinë se si është e mundur që pas gjithë këtyre padrejtësive dhe terrorit nda popullit shqiptar në Maqedoni, Ali Ahmeti akoma qëndron në Qeveri.