Republika e Kosovës lidh marrëdhënie diplomatike me Ishujt Cook
Ambasadori i Republikës së Kosovës i akredituar në Australi dhe Zelandë të Re, Sabri Kiqmari. dhe Komisionari i Lartë i Ishujve Cook në Zelandë të Re, Tekaotiki Matapo, kanë nënshkruar komunikatën e përbashkët për fillimin e marrëdhënieve diplomatike në mes të Republikës së Kosovës dhe Ishujve Cook.

Lajme
Akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike është nënshkruar në Komisionin e Lartë të Ishujve Cook në Wellington, kryeqytetin e Zelandës së Re.
Në Komunikatën e Përbashkët thuhet se me qëllim të promovimit të miqësisë dhe bashkëpunimit në mes të dy vendeve në fushën politike, ekonomike dhe kulturore, mbi bazën e barazisë, respektit të ndërsjellë për pavarësinë dhe sovranitetin, bazuar në principet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, të bindur se krijimi i marrëdhënieve diplomatike është në interes të të dy vendeve, të dy shtetet vendosin të lidhin marrëdhënie diplomatike mes vete në ditën e nënshkrimit, pra më 18 maj 2015.
Ambasadori Kiqmari ka theksuar se “ne jetojmë në dy pjesë të ndryshme të botës, por ndajmë vlera të përbashkëta të respekt të ndërsjellë dhe dëshirë për paqe e prosperitet në botë. Këto vlera na bashkojnë dhe me aktin e sotëm po fillojmë hapin e parë të bashkëpunimit mes nesh. Nga sot Ishujt Cook e kanë një mik në Evropën Juglindore: miku juaj është Republika e Kosovës. Në muajt që vijnë do të shohim mundësitë për të thelluar marrëdhëniet mes nesh në fushat me interes të ndërsjellë“.
Komisionari Tekaotiki Matapo nënshkrimin e kësaj marrëveshje e ka quajtur një moment të rëndësishëm. Edhe ai është shprehur se kjo marrëveshje mund të kontribuojë në thellimin bashkëpunimit në fusha me interes të dyanshëm.
Ai e ka njoftuar Ambasadorin Kiqmari se Ishujt Cook do të shënojnë 50-vjetorin e themelimit këtë vit dhe e ka ftuar Ambasadorin Kiqmari që të marrë pjesë në ceremoninë solemne që do të mbahet me këtë rast në Avarua, kryeqytetin e Ishujve Cook.
Në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes ka marrë pjesë edhe Komisionari i Lartë i Papua Guinesë së Re në Wellington, Francis Agwi.
Gjatë ditës, Ambasadori Kiqmari ka zhvilluar një takim edhe me Drejtorin e Divizionit për Evropë në Ministrinë e Jashtme dhe Tregtisë të Zelandës së Re, Ian Hill, me të cilin është biseduar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve./KosovaPress/