Pickime nga rriqrat po, por pa raste të etheve hemorragjike

Në Kosovë ende nuk është shënuar asnjë rast me ethe hemorragjike. Madje as në komunat ku rastet endemike të kësaj sëmundje janë shfaqur tash e shumë vite, Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë, nuk është regjistruar asnjë rast i etheve hemorragjike.

Lajme

18/05/2015 21:01

Këto informacione u dhanë sot gjatë një takimi që pati Këshilli i ri ndërministror për parandalimin dhe luftimin e etheve hemorragjike në Kosovë.

Megjithëkëtë fakt trimërues, u kërkua kujdes i shtuar nga ana e qytetarëve, sidomos për periudhën mesi i majit-mesi i qershorit 2015, në zbatim të masave preventive, me qëllim të parandalimit të rasteve të etheve hemorragjike.

Në takim u raportua për aktivitetet e edukimit dhe vetëdijesimit shëndetësor në komunat më të rrezikuara, masat e repelimit të shtazëve dhe dezinsketimit të shtazëve nga ana e Agjencisë së Ushqimit e Veterinës, aktivitetet e dezinsektimit selektiv nga Komuna e Malishevës, si dhe aktivitetet e tjera të ndërmarra nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Ministria e Bujqësisë.

Sipas komunikatës, këto masa do të vazhdojnë përgjatë tërë periudhës që është më e ndjeshme sa i përket mundësisë së shfaqjes së etheve hemorragjike, që bartet përmes pickimit të rriqrave .

Ndërkohë, në takim thuhet se është bërë e ditur se MSh dhe SHSKUK kanë siguruar terapi për raste eventuale të sëmundjes si dhe Klinika Infektive i ka kapacitetet e caktuara për të trajtuar në mënyrë specifike rastet eventuale të të prekurve nga këto ethe.

Gjithashtu, në takim u raportua se numri i pickimeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është lehtësisht më i vogël./KosovaPress/