Xhavit Haliti kritika ministrit Kuçi: Kemi një sistem të korruptuar të drejtësisë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, deputet i PDK-së, Xhavit Haliti sot në seancën plenare, ka drejtuar kritika të ashpra në drejtim të sistemit të drejtësisë, indirekt edhe në adresë të vetë ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Lajme

18/05/2015 12:41

Kritikat e Halitit janë bërë gjatë debatit parlamentar ku po diskutohej për projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Haliti ka thënë se sistemi gjyqësor është i korruptuar dhe se deputetët nuk janë ekspertë të njohjes për ligjet dhe është nevoja që ministria e drejtësisë të krijojë ligje që përshtaten për ambientin e Kosovës.

Deputeti i PDK-së po ashtu ka shprehur shqetësim sesi prokurorët dhe gjykatësit ligjërojnë në Universitet, dukuri që nuk ndodhë askund në botë.

Ndërsa në përgjigjen e tij, ministri Kuçi ka thënë se është hera e parë që Kosova po bën tranzicion në sistemin e drejtësisë dhe marrje të kompetencave nga EULEX-i tek institucionet tona.

Sipas Kuçit, ky tranzicion nuk ka dyshim se do t’i vë në pah dobësitë dhe fuqinë e secilit akter në fushën e drejtësisë.

Ndërkohë, Kuçi ka thënë se ka ardhur koha që të merret përgjegjësia nga institucionet e tona. Sipas tij, as këshilli gjyqësor, as ai prokurorial nuk janë më të mirë se të tjerët dhe në asnjërin prej tyre nuk janë të gjithë engjëj, kështu që, sipas Kuçit, sa herë që në këtë vend të zgjidhet kryeprokuror do të ketë dridhje.

Duke folur për kryeprokurorin, Kuçi ka përmendur modelin e Kroacisë, ku ministri i drejtësisë dhe qeveria kanë ndikim drejtpërdrejt për zgjedhjen e kryeprokurorit. Ai ka thënë se edhe Kosova ka ndjekur deri diku modelin e tyre, mirëpo për shkak të gjendjes politike, ka vendosut të mos e ndjekë këtë shembull në zgjedhjen e kryeprokurorit.