Mbrojtja kërkon që të arrestuarit në Kumanovë të transferohen në spital

Avokatja Ajtene Ademi-Iseini që po mbron grupin e të arrestuarve të Kumanovës, ka kërkuar që të burgosurve t’u lejohet trajtimi mjekësor në spitale.

Lajme

18/05/2015 08:56

Në një intervistë për “Tribuna Channel”, ajo deklaroi se për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore që janë klientët e saj, Bek Bajra dhe Valdet Zekaj, por edhe të burgosurit e tjerë, do të kërkojë sot transferimin e tyre për në spital.

“Është përdorur dhunë e tepërt gjatë arrestit të tyre nga Kumanova deri në gjykatën e Shkupit. Kanë të thyer dhëmbë dhe hematoma, ndërsa në njërin ka pasur ndërhyrje kirurgjikale për shkak të gjendjes së rëndë”, ka thënë avokatja.

“Këtu janë bërë shkelje të të drejtave të njeriut, asnjë konventë nuk e lejon atë keqtrajtim. Apelojmë te organizatat ndërkombëtare që të ndërhyjnë me ekipe mjekësore për shkak se gjendja e tyre nuk është e mirë”, ka thënë ajo.

Kurse sa i për ketë vizitave të familjarëve, avokatja Ademi-Iseini ka thënë se është në përgatitje të dokumentacionit në mënyrë që familjarët tu mundësohet vizitat me 19 dhe 20 maj kur janë paralajmëruar nga ministria e Punëve të Brendëshme të Maqedonisë.