Papa shenjtëron dy murgeshat e para palestineze

Papa Françesku ka shenjtëruar dy murgesha të shekullit XIX, të cilat kanë jetuar në Palestinën e sunduar prej Perandorisë Osmane, duke u bërë kështu të parat katolike arabe që kthehen në shenjtore.

Bota

17/05/2015 13:10

Marie Alphonsine Ghattas dhe Mariam Bawardy janë mes 4 shenjtorëve që Papa Françesku zyrtarizoi nga sheshi “Shën Pjetër” i Romës, këtë të diel.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, si dhe mbi 2,000 pelegrinë të krishterë nga rajoni kanë marrë pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të tyre.

Lëvizja shihet si një mjet i mbështetjes së Vatikanit për komunitetet e krishtera në Lindjen e Mesme, të cilat i janë nënshtruar presionit dhe dhunës.

Të shtunën, Ati i Shenjtë u takua me presidentin Abbas në Vatikan, duke e quajtur atë “një engjëll të paqes”.

Vizita e Abbas në Vatikan erdhi vetëm pak ditë pasi Vatikani njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës përmes një traktati, i cili thekson se Selia e Shenjtë është në favor të zgjidhjes dyshtetërore të konfliktit me Izraelin, si dhe i lejon Vatikanit të mbikëqyrë aspekte të jetës së Kishës Katolike edhe në zonat e kontrolluara prej Autoritetit Palestinez, të drejtuar nga presidenti Abbas. /TCH/