Ndihmohen me orendi shtëpiake 5 familje të kthyera në Klinë
Pas marrjes së informacionit se familjet të cilat janë kthyer në qytetin e Klinës, nuk kanë as kushte minimale për jetesë në banesat, çelësat e të cilave u janë ndarë me 28 prill të këtij viti, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka realizuar pjesën e premtimit te saj të dhënë se në kuadër të mundësive të saj do t'i ndihmoj këtyre familjeve.

Lajme
Dje këtyre familjeve u është ndarë pjesa e parë e ndihmës me orendi shtëpiake, njoftoi Ministria e Kthimit.
Ministri Dalibor Jevtiq, ka thënë se edhe pse buxheti i Ministrisë është zvogëluar përgjysmë, të kthyerve në këto raste gjithmonë do t’i dalin në ndihmë sepse është me rëndësi t’u sigurohen kushtet minimale që të qëndrojnë dhe mbijetojnë në Kosovë.
”Ky është obligimi dhe misioni ynë. Zbatojmë atë për çfarë flas shpesh, dhe ajo është përmirësimi i kushteve jetësore të të kthyerve. Është e palejueshme që dikush të kthehet në Kosovë, dhe të mos ketë gjëra themelore për jetesë. Unë e di se edhe pas kësaj ndihme familjet Raleviq, Vuliq, Marusiq, Markoviq dhe Milovanoviq nuk do ta kenë fare lehtë, por shpresoj se pas sigurimit të gjërave themelore, kësaj here me orendi shtëpiake, do ta kenë më lehtë”, ka thënë Ministri Jevtiq.
Ai ka theksuar se edhe pjesa e dytë e ndihmës me orendi shtëpiake në ditët në vijim do të realizohet, thuhet në njoftim.
Përndryshe, siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kthimit, edhe në këtë grup të të kthyerve që kanë marrë çelësa të banesave janë gjashtë familje, por banesa e Miljana Culafiq është e uzurpuar, kështu që statusi i kësaj familjeje ende mbetet i pazgjidhur.