Dita e Lirisë së Shtypit, “Fol, mos u tut”

Në të gjithë botën do të shënohet sot Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Kjo ditë është themeluar me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e lirisë së shtypit dhe për t’u kujtuar qeverive se është detyrë e tyre të respektojnë dhe mbështesin të drejtën e lirisë së shprehjes.

Lajme

03/05/2015 08:17

Këtë ditë sot do ta shënojë edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili do të zhvillojë një aktivitet simbolik para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, me moton “Fol mos u tut”.

Kosova, në bazë të raportit të organizatës Freedom House për lirinë e shtypit në vitin 2014, renditet në vendin e 97, nga 199 vendet e përfshira në raport, duke u vlerësuar si pjesërisht e lirë, raporton Kosovapress.

Vendi me lirinë më të madhe të shtypit në rajon është klasifikuar Sllovenia, duke u renditur e 41-ta, pas saj më shumë se 30 vende më poshtë vjen Mali i Zi, në vendin e 78-të, Kroacia dhe Serbia në vendin e 80, Kosova dhe Shqipëria në vendin e 97, e me gjendjen më të keqe në rajon është vlerësuar Maqedonia, e cila renditet e 125-ta.

Nga 199 vende, 63 janë vlerësuar si të lira, 71 si pjesërisht të lira dhe 65 si jo të lira.

Me gjendjen më të keqe janë vlerësuar vendet si Bjellorusia, Irani, Koreja e Veriut, Siria, Turkmenistani dhe Uzbekistani, ndërsa vendet më të lira janë Norvegjia, Suedia, Finlanda, Holanda, Danimarka, Zvicra dhe Luksemburgu.

Ditën e Lirisë së Shtypit e ka kujtuar në profilin e tij në Facebookl kryeministri Isa Mustafa, duke e vlerësuar të rëndësishme lirinë e shprehjes dhe duke u angazhuar kundër kërcënimeve ndaj medias.

“Filozofia ime qeverisëse përjashton kërcënimin ndaj medias, sepse kudo që kërcënohet pavarësia e medias, aty minohet liria njerëzore si edhe përgjegjësia qeveritare. Qeveria që unë drejtoj do t’i përkrahë gazetarët në përpjekjet e tyre për të qenë të lirë e të pavarur. Në muajt e parë të qeverisjes, unë dhe qeveria që unë drejtoj, jemi munduar të përçojmë mesazhin për kursin partneritetit me mediat, të ndërtuar mbi bazën e përgjegjësisë që kemi përpara qytetarëve”, ka shkruar pos tjerash Mustafa. /KosovaPress/