“Dosjet” e Shqipërisë, vetëm për informim, por pa lustracion

Parlamenti shqiptar miratoi sot ligjin për hapjen e dosjeve të propozuar nga mazhoranca, i cili ka në themel informimin.

Lajme

30/04/2015 20:11

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj tha se ky ligj në themel të tij ka transparencën dhe jo lustracionin, i cili bie ndesh me Kushtetutën.

“Ky ligj mundëson përmes një procesi të mirërregulluar të drejtën për t’u njohur me materialet e grumbulluara ndaj tyre në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit për të gjithë personat të cilët kanë qenë drejtpërdrejtë të prekur nga veprimtaria e ish-Sigurimit të Shtetit. Këtu përfshihen jo vetëm personat e përndjekur, por edhe vetë bashkëpunëtorët, të cilët në përputhje me dispozitat e këtij projektligji, do të kenë të drejtën e aksesit të plotë në të gjithë informacionin e grumbulluar kundër tyre apo prej tyre gjatë viteve të veprimtarisë së sigurimit”, tha Veliaj.

Por, para kësaj deklarate, deputetja Mesila Doda, e cila është edhe relatorja e projektligjit të propozuar nga shoqëria civile dhe e mbështetur nga e djathta, ka  theksuar se vetëm lustracioni mund të sjellë drejtësi për këtë shtresë të shoqërisë: “Po mbron arkitektët dhe ofiqarët e regjimit që vrau dhe dhunoi kishat, përndoqi klerikët e feve, burgosi mijëra intelektualë dhe shkatërroi ADN-në e këtij kombi. A e mendoni se ç’do të thotë t’i dalësh sot zot armatës së xhelatëve që kanë pushtuar zyrat e shtetit dhe vendimmarrjen e politikës? I ke në Parlament, i ke në qeveri, ministrin e Ramiz Alisë e ke pranë vetes, i ke në polici, gjykatë dhe diplomaci”.

Deputeti i PS, Pandeli Majko tha se lustracioni nuk mund të kryhet pasi është antikushtetues dhe argumentoi se ka dosje që nuk do të hapen asnjëherë: “Mbi 20 vite që kemi qeverisur ne dhe PD-ja. Këtu ishit. Ka një diferencë mes asaj që quhet e drejtë dhe drejtësi. Ne po diskutojmë për të drejtën dhe jo për drejtësinë. Nëse do të diskutonim për drejtësinë, atëherë diskutimi do të merrte një drejtim tjetër. Propozimet që kanë sjellë kolegët e opozitës janë hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese”.

Ky ligj i jep ish të përndjekurve politikë dhe shoqërisë civile të drejtën e informimit, por jo të lustracionit. Mazhoranca, përmes këtij ligji, ka kërkuar që një pjesë e zyrtarëve të lartë, para se të emërohen, të shikohet nëse kanë ose jo dosje, pra të verifikohet pastërtia e figurës së tyre.

.