PTK-ja nuk do t’i paguajë buxhetit të shtetit 30 milionë euro

Qeveria nuk mund t’i inkasojë këtë vit 30 milionë euro dividendë nga Posttelekomi i Kosovës (PTK).

Lajme

13/04/2015 17:27

PTK e ka njoftuar Qeverinë se mund t’i sigurojë vetëm 10 milionë euro dhe jo më shumë. Kjo për shkak se ka të paraparë investime të mëdha kapitale, duke përfshirë edhe blerjen e brezit të ri frekuencor.

Por zyrtarët e Qeverisë kanë thënë se në rast se PTK nuk i siguron 30 milionë euro dividendë, atëherë shkelet Ligji i buxhetit.

Arban Abrashi, zëdhënës i Qeverisë, njëherësh edhe ministër i Punës dhe Mirëqenies sociale, ka thënë për KosovaPress se nëse PTK nuk i siguron mjetet e kërkuara dividendë, atëherë shkelet Ligji i buxhetit.

“Nëse kjo nuk arrihet, është pjesë e Ligjit të buxhetit, dhe realisht i bie që është shkelje buxhetore, shkelje e Ligjit të buxhetit, por besoj që ka hapësirë, edhe 6-7 muaj janë në pyetje, besoj që ka hapësirë që edhe kjo të arrihet dhe të ndahet shuma prej 30 milionë eurosh, ashtu siç parashihet me ligj”, ka thënë Abrashi.

Ai po ashtu ka pranuar se Qeveria e ka marrë një përgjigje prej bordit të drejtorëve të PTK-së, ku janë njoftuar se kanë mundësi vetëm për 10 milionë euro dividendë.

“Është e vërtet që PTK ka kthyer një përgjigje, realisht ka treguar se ka mundësi për vetëm 10 milionë euro. Ne i mirëkuptojmë investimet e tyre, por mendojmë se ka hapësirë që ky 30 milionësh të arrihet”, ka thënë Abrashi.

KosovaPress ka siguruar shkresën e bordit të drejtorëve të PTK-së, me të cilën e ka njoftuar aksionarin, në këtë rast Qeverinë, se sipas biznes-planit të kompanisë parashihen investime të mëdha. Në shkresë thuhet se PTK ka trend të rënies së të hyrave dhe nuk ka mundësi t’i ndajë më shumë se 10 milionë euro dividendë.

“Për më tepër, përkundër trendit rënës në të hyra, kërkesa e aksionarit për pagesë të dividentës në vlerë prej 30 milionë euro është marrë seriozisht në konsideratë nga Bordi i Drejtorëve dhe menaxhmenti i PTK-së, është vlerësuar gjendja financiare duke marrë parasysh edhe planin e biznesit për vitin 2015 dhe duke marrë parasysh të gjitha sfidat me të cilat aktualisht është duke u ballafaquar biznesi i PTK-së, shuma maksimale që PTK do të mund ta menaxhonte për ta paguar dividendën është 10 milionë euro, shumë e cila është e paraparë edhe në biznes planin e vitit 2015”, thuhet në shkresë.

Po ashtu, bordi përmes kësaj shkrese e ka njoftuar Qeverinë se duhet të paguajë 10 milionë euro pë rastin e një arbitrazhi ndërkombëtar.

“Në vëmendje të veçantë mbetet edhe çështjet legale të pa përmbyllura, si rasti i vendimit të arbitrazhit ndërkombëtar për pagesë ndaj AMDOCS, në shumë mbi 10 milionë euro, dhe kjo shumë nuk është planifikuar në rrjedhën e parasë për periudhën 2015-2019”, thuhet në këtë shkresë.

Bordi i PTK e ka njoftuar Qeverinë se për investime në teknologjinë 3G dhe 4G ka paraparë një shumë fillestare prej 35 milionë eurosh. Gjithashtu, në kuadër të këtij projekti janë paraparë edhe 14.5 milionë euro për pagesë të brezit shtesë frekuencor.

123