Ambasada e SHBA-ve në Tiranë reagon ndaj “gjuhës” së Edi Ramës
Ambasada amerikane në Tiranë reagoi sot për VOA lidhur me deklarimet e kryeministrit Edi Rama për bashkimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian dhe qasjen që duhet të ketë BE-ja ndaj këtij bashkimi.
Lajme
I pyetur nga “Zëri i Amerikës” se cili është qëndrimi i SHBA-ve, pas deklaratave të forta të Serbisë për komentet e kryeministrit Rama, në intervistën me “Klan Kosova”, të cilat janë interpretuar se nënkuptojnë një bashkim të dëshiruar politik midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe duke pasur parasysh deklaratën e djeshme të BE-së për këtë cështje, një zëdhënës i ambasadës u përgjigj:
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fort aspiratat për në BE të të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor dhe mirëpresin riafirmimin nga BE-ja se këto vende ndajnë një perspektivë të qartë europiane. SHBA besojnë se të gjitha vendet që punojnë për anëtarësim në BE duhet të qëndrojnë larg nga gjuha që nuk e çon përpara këtë synim të përbashkët dhe duhet të vazhdojnë të punojnë drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal. SHBA-të mirëpresin garancitë që ka marrë nga qeveria e Shqipërisë se deklaratat në fjalë synonin vetëm të theksonin rëndësinë që ka integrimi në BE për shumë vende të Ballkanit”.