Ministri i Shëndetësisë dyshon në cilësinë e barnave që shiten në treg

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka shfaqur dyshime se në treg qarkullojnë “barna me cilësi më të dobët”. AI ka vendosur të iniciojë ndryshime në Ligjin e prokurimit publik.

Lajme

07/04/2015 07:59

Por, një ndryshim i tillë po konsiderohet krejt i panevojshëm nga udhëheqësi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRrPP), Safet Hoxha, i cili ka thënë se arsyetimet e MSh-së nuk kanë të bëjnë fare me ligjin aktual, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në anën tjetër, Isuf Zejna nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë kjo që e ka monitoruar me vite procesin e prokurimit në MSh, konsideron se duhet analizuar mirë se çfarë po ndryshohet, pasi që ekziston rreziku që këto ndryshime t’u shërbejnë shumë interesave komerciale të bizneseve.

Njëra ndër arsyet që ministrin e ka shtyrë drejt këtij vendimi është blerja e produkteve mjekësore me çmim të ulët , të cilat ai i ka gjykuar si “produkte me cilësi më të dobët”.

Por ky arsyetim i ministrit konsiderohet si absurd për faktin se Agjencia Kosovare për Produktet Medicinale (AKPM) garanton cilësi për secilin produkt të regjistruar në Kosovë. Megjithatë MSh-ja konsideron se me këto ndryshime do të garantohet cilësi e produkteve që blihen.

“Ligji i prokurimit e parasheh që fituesi i tenderit të përzgjidhet operatori më i lirë dhe MSh-ja është e obliguar të respektojë këtë dispozitë ligjore, por çmimi më i ulët nuk garanton edhe cilësinë më të mirë, apo thënë ndryshe, imponon blerje të produkteve mjekësore dhe aparaturë të një cilësie më të dobët, që pastaj reflekton negativisht qoftë në mirëmbajtjen e tyre, apo edhe në cilësinë e vet produkteve që përdoren te pacientët”, ka thënë ministri Rrahmani përmes Zyrës së Informimit të MSh-së.