Ragmi Mustafa fiton më shumë sesa presidenti i Serbisë

Prefekti i Preshëvës e ka rrogën më të madhe në mesin e prefektëve në Serbi dhe fiton 138,000 dinarë (rreth 1,150 euro) në muaj, që është rrogë më e madhe sesa e presidentit dhe kryeministrit të Serbisë.

Lajme

05/04/2015 15:46

Por, si shkruan gazeta Blic e Beogradit, Mustafa nuk është i vetmi prefekt a kryetar komune që ka portofol më të trashë sesa zyrtarët e lartë serbë, minisrat dhe kreu i parlamentit.

Mirëpo, kjo joharmoni pritet të zbutet me Ligjin e ri mbi rrogat, me të cilin të ardhurat e kryetarëve të komunave do të barazohen.

Kreu i Preshevës, Ragmi Mustafa tha se ai nuk e ka rrogën më të madhe dhe se “shërbimet e tij ia kanë dhënë Agjencisë shumën e gabuar”.

“E kanë dhënë shifrën bruto, e jo atë neto. Nuk e di sa e kam rrogën, sepse nga ajo çdo muaj më hiqen shumat pë shlyerje të kredive, fatura e telefonit. Kam punë më të rëndësishme se sa kjo që tash të diskutoj me Agjencinë. Por, sido qoftë, pajtohem me idenë për barazimin e rrogave, sepse të gjithë prefektët dhe kryetarët e komunave duhet të kenë rroga të njëjta”, sqaroi ai.

Ragmi Mustafa është me profesion inxhenier i elektroteknikës.