Mustafa: Vizioni im është rikthimi i PTK-së në trend pozitiv

Drejtori menaxhues i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Agron Mustafa, ka thënë se vizioni i tij, është që të ndalë rënien e mëtutjeshme të kompanisë dhe të rikuperojë dëmet nga dy procese të dështuara të privatizimit.

Lajme

03/04/2015 15:59

Në konferencën e tij, të parë pas marrjes së detyrës, Mustafa njoftoi se nga fillimi i muajit maj kompania do të mund të ofrojë teknologjinë 4G.

“Vizioni im është që së pari të ndalim rënien dhe më pas të rikthehemi drejt trendit pozitiv duke rikuperuar dëmet nga dy procese të dështuara të privatizimit, të cilat, siç dihet u shoqëruan me bllokim investimesh dhe për rrjedhojë kompania pati një stagnim në afarizëm dhe në zhvillim teknologjik”.

“Implementimi i suksesshëm i 3G dhe 4G, jam shumë i bindur se do të na rikthejë në pozitat dominante për shkak të kualitetit. Vala dhe Telekomi posedojnë tekonologji ndër më të mirat në regjion dhe më larg”, u shpreh Mustafa.

Rregullatori i Telekomunikacionit në Kosovë, ARKEP, përmes një raporti studimor, që e ka publikuar për herë të parë, ka evidentuar statistika që nxjerrin operatorin publik Vala dhe Telekomin e Kosovës, lider në tregun vendor, për shërbime më të mira, kualitative dhe që është më pranë konsumatorit.

Mustafa tha se të dhënat e publikuara nga ARKEP, tregojnë korrektësinë e tyre në raportet që i publikojnë.

“Në bazë të vlerave të paraqitura, vërehet se të gjitha parametrat e parë të deklaruara nga VALA, kanë një mospërputhje të vogël krahasuar me vlerat e matura nga ARKEP, ndërkohë që konkurrenca ka mospërputhje të ndjeshme me ato që raporton. Kjo tregon korrektësinë tonë në raport më ato që i publikojmë dhe përfaqësojmë realisht”, deklaroi ai.

Raporti i ARKEP-it e përcakton PTK-në, si në rrjetin fiks, ashtu edhe atë mobil, kompani lidere. Në mesataren e kualitetit të zërit, Telekomi i Kosovës, vlerësohet si një kompani me standard kombëtar dhe ndërkombëtar.

YouTube player