Vrasësit e dënuar të 120 shqiptarëve, kthehen në rigjykim

Gjykata e Apelit në Beograd anuloi vendimin për nëntë anëtarët e grupit paramilitar "Çakallët", të cilët ishin dënuar me gjithsej 106 vjet burgim. Madje, dy prej të dënuarve serbë janë lënë të lirë.

Lajme

31/03/2015 20:11

Grupi famëkeq serb, “Çakallët” kishte kryer krime kundër civilëve shqiptarë gjatë vitit 1999 në fshatrat Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Lybeniq të Kosovës.

Gjykata e Apelit ka vendosur që i tërë rasti të rikthehet në rigjykim, pas ankesës së avokatëve mbrojtës, raportojnë mediat serbe, transmeton Telegrafi.

Pas vendimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë vendimin e shkallës së parë, për arsye se nuk kishte fakte relevante.

Të pandehurit kryesor, Toplica Milladinoviq iu shfuqizua dënimi me 20 vjet burg, gjithashtu edhe Millojko Nikoliq dhe Dejan Bullatoviq.

Ranko Momiq ishte dënuar me 15 vjet burg, Sreçko Popoviq me 10 vjet, Abdullah Sokiq me 12, Sinisha Misiq me 5, ndërsa Sllavisha Kastratoviq dhe Boban Bogiçeviq me nga 2 vjet.

Kujtojmë se në fshatrat e lartpërmendura shqiptare të Kosovës janë vrarë 120 civilë shqioptarë, ku viktimat ishin të moshës prej 19 deri në 87-vjeçe. /Telegrafi/