Nxënësit nuk preferojnë shkollat profesionale, shkak mungesa e cilësisë

Gjimnazet e Kosovës vërshohen nga nxënësit, ndërsa shumë pak interesim ka për shkollat profesionale.

Lajme

29/03/2015 21:43

Megjithëse zyrtarë nga Ministria e Arsimit thonë se prioritet është avancimi i shkollave profesionale për të krijuar mundësi për treg të punës, nga njohës të çështjeve arsimore kjo po kontestohet.

Sipas Melinda Mulës, nuk është bërë aq sa duhet për zhvillimin e këtyre shkollave, pasi që nga aty mund të rrjedhin gjenerata që do të ndihmonin në zhvillimin e ekonomisë vendëse.

Këto mungesa, sipas Mulës, shtyjnë nxënësit që të regjistrohen nëpër gjimnaze, pasi ato konsiderohen si më të avancuara, e në bazë të të cilave mund të arrihet më lehtë te një institucion më i mirë i arsimit të lartë.

Shpeshherë shkollat profesionale janë cilësuar si më të dobëta nga suksesi i nxënësve. Dhe kjo dilte në pah kur vinte testi i maturës shtetërore.

Mirëpo, ndryshimi që pritet të bëhet në ligjin për maturën shtetërore do t’ua lehtësojë arritjen e një suksesi më të mirë edhe nxënësve të shkollave profesionale, pasi nëse miratohen ndryshimet e ligjit, këta nxënës sikur edhe të gjithë të tjerët nuk do të kenë kriter për maturë.

Në një klasë në shkollë profesionale mësojnë rreth 20 nxënës, ndërsa në gjimnaze numri arrin deri në 40, raporton KTV.