Haradinaj e quan të pamoralshme deklaratën e Mustafës për 3 përqindëshin
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar llogari nga kryeministri Isa Mustafa për Fondin e "3 përqindëshit".
Lajme
Sipas Haradinajt, deklarimi i Mustafës se nuk ka obligim ligjor për të rikthyer paratë, është papërgjegjësi morale, politike e ligjore ndaj qytetarëve dhe diasporës, ka shkruar ai në Facebook.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë postimin e Haradinajt.
Z. kryeministër, nëse asnjë qeveri e as ti nuk keni obligim ndaj Bonove të 3 përqindshit, pse i lëshuat ato pa garancion? Pse e mashtruat qytetarin duke lëshuar bono të pavlera?
Dihet që funksioni i bonos është këmbimi obligativ i parave të gatshme me diçka me vlerë të garantuar. Ndërsa ju sot deklaroni në Kuvend se nuk keni obligim ligjor t’i riktheni paratë, e edhe më keq, e krahasoni pamundësinë e kthimit të mjeteve financiare me pamundësinë e rikthimit të atyre që humbën jetën për liri. Kjo deklaratë është papërgjegjësi morale, politike e ligjore ndaj qytetarëve të Kosovës dhe diasporës, që kontribuan pa kushte për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.