BE-ja në hall me “fushatën dezinformuese” (rrenat) të Rusisë

Udhëheqësit europianë do të kërkojnë një mbledhje me shefen e tyre për politikë të jashtme javën e ardhshme, për të hartuar një plan për t’iu kundërvënë “fushatës dezinformuese” të Rusisë në lidhje me konfliktin në Ukrainë, siç bëhet e ditur në projekt-konkluzionet e samitit të BE-së.

Bota

11/03/2015 21:44

Liderët e BE-së, të cilët do të takohen së bashku më 19 dhe 20 mars, do t’i japin tre muaj kohë përfaqësueses së lartë të Marrëdhënieve me Jashtë, Federica Mogherini, deri në samitin e ardhshëm të qershorit, për të punuar mbi mënyrën si të mbështetet liria e medias dhe e vlerave europiane në Rusi.

“Këshilli Europian thekson edhe njëherë nevojën për të sfiduar fushatat e vazhdueshme dezinformuese të Rusisë dhe fton Përfaqësuesen e Lartë të përgatisë deri në qershor për KE-në një plan veprimi mbi komunikimin strategjik në mbështetje të lirisë së shtypit dhe vlerave të BE-së”, thuhet në draftin e hartuar. “Mirëpresim vendosjen e një ekipi komunikimi si hap i parë në lidhje me këtë çështje”, shtohet më tej në draftin në fjalë.

Televizionet ruse të financuara nga shteti, si “Russia Today”, të cilat transmetojnë në anglisht, spanjisht, arabisht, gjermanisht dhe frëngjisht, kanë zgjeruar me shpejtësi operacionet e tyre. Ndërkohë që shumë rrjete perëndimore transmetimi i kanë shkurtuar shërbimet në rusisht, që pas Luftës së Ftohtë.

Diplomatët e BE-së kanë thënë se Unioni duhet të gjejë një rrugëzgjidhje për t’iu kundërvënë dezinformimit, qoftë brenda vetë territorit rus, ashtu edhe në vende europiane si Gjermania, apo në vendet fqinje me Rusisë dhe që janë anëtarësuar në BE, por me minoritete të mëdha rusisht-folësish, si për shembull shtetet baltike.

Televizioni i Rusisë, nën kontrollin e rreptë të shtetit, ka portretizuar kryengritjen pro-ruse në Ukrainën lindore si një reagim spontan pas “grushtit të shtetit” të forcave nacionaliste ukrainase në Kiev. Perëndimi akuzon Moskën se ka nxitur luftimet, duke dhënë ndihma në ushtarë dhe armatime, gjë që Kremlini e mohon.

Nëntorin e kaluar, Rusia nisi një organizatë mediatike të përshtatur me zhvillimet më të fundit teknologjike, të përbërë nga qindra gazetarë jashtë shtetit, me qëllim që të largojë pjesën tjetër të botës nga ajo që e quajti “propagandë agresive të Perëndimit”, duke e quajtur atë “Sputnik” (satelit artificial), duke i bërë kështu jehonë Luftës së Ftohtë.

Korrespondentja e “Russia Today”, me banim në Londër, Sara Firth dha dorëheqje në korrikun e vitit të kaluar për shkak të mbulimit që i bëri ky televizion rrëzimit të avionit malajzias “MH17”, duke e akuzuar atë për “keqinformim të dukshëm dhe tronditës”. Ndërkohë, më herët, edhe korrespondentja e këtij televizioni nga Washingtoni kishte dhënë dorëheqjen, duke e fajësuar këtë rrjet mediatik për “zbukurim” të ndërhyrjes ushtarake të Moskës në Krime. /Top Channel/