Shkaku i gjyqtarëve, edhe të paraburgosurit futen në grevë
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka vendosur që zyrtarisht t’i dërgojë kërkesë Ministrisë së Financave dhe asaj të Drejtësisë që gjyqtarëve t’iu paguhet shtesa për rrezikshmëri.
Lajme
Vendimi është marrë në mbledhjen e KGJK-së, ku është përkrahur greva e gjykatësve të Gjykatave Themelore.
Megjithatë, është thënë se mundësitë e Këshillit për veprime janë të kufizuara, sepse gjithçka varet nga institucionet qeveritare. Anëtarët kanë thënë se më shumë se 80 për qind e gjykatësve nuk kanë rroga në nivel me ministrat, raporton KTV.
Vetëm gjyqtarët e Supremes kanë paga sa të ministrave. Por, një nga përfaqësuesit e gjykatësve grevistë, Zenel Leku ka thënë për televizionin se “greva do të vazhdojë”.
“Pa na garantuar për plotësim të kërkesave tona, ne nuk e ndërpresim grevën”, ka thënë gjyqtari Leku. Vetëm të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë anuluar rreth 900 raste gjyqësore.
Të paraburgosurit, ndërkaq, kanë vendosur të futen në grevë po ashtu që nga e mërkura, ka konfirmuar për Kohavisionin një grup i të paraburgosurve.
Shkak është bërë pamundësia e vizitave familjare, meqë për vizita të tilla duhet vendimi i Gjykatës, çka për më shumë se një javë të grevës së gjyqtarëve ka qenë e pamundur.