Bashkëpunim në funksion të kalimit të lehtë të kufijve
Kryeministri Isa Mustafa, së bashku me zëvendësministrat Hashim Thaçi dhe Kujtim Shala po qëndrojnë në vizitë zyrtare në Shqipëri. Mustafa është pritur sot nga homologu i tij shqiptar Edi Rama.
Lajme
Kryeministri Isa Mustafa është pritur sot me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Pas takimit të zhvilluar, kryeministri Mustafa dhe kryeministri Rama, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për gazetarë.
Mustafa tha se çmon kontributin që ka dhënë shteti shqiptar në shtetndërtimin e Kosovës. Ai tha se dy vendet kanë nevojë të bashkëpunojnë në projekte ekonomike, në zhvillimin ekonomik, energjetikë, turizëm, insfrastrukturë.
Mustafa falënderoj kryeministrin Rama dhe Qeverinë e Shqipërisë për ndihmën e dhënë në procesin e njohjeve dhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Më poshtë mund të lexoni deklartën e plotë të kryeministrit Mustafa:
Ne ju jemi mirënjohës për mbështetjen e çmuar që kemi pasur nga Qeveria shqiptare, nga populli shqiptar, në të gjitha fazat e shtetndërtimit tonë dhe mendoj që ky ka qenë një kontribut i veçantë edhe në forcimin e shtetit ligjor në Kosovë por edhe një kontribut i veçantë që ne të bëhemi pjesë e politikave evropiane, e politikave botërore dhe që bashkërisht të marrim pjesë në ndërtimin e proceseve dhe çuarjen përpara të proceseve tona të përbashkëta.
Ne e konsiderojmë me rëndësi të veçantë edhe Marrëveshjen për Bashkëpunim Strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, i konsiderojmë po ashtu shumë të rëndësishme fondet që i kemi ndarë bashkërisht, përmes të cilave ne, në njëfarë mënyrë i kalojmë tërësisht kufijtë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, po ndërtojmë marrëdhënie të drejtpërdrejta edhe në fushën e ekonomisë edhe në fusha tjera. Janë arritur rezultate shumë të mira në arsim dhe kulturë.
Do të bëjmë përpjekje që këto rezultate të shprehen edhe në marrëdhëniet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Po ashtu kemi nevojë që të punojmë bashkërisht në projekte ekonomike, në zhvillimin ekonomik, sepse është një fushë që i kemi dhënë prioritet të veçantë, dhe fokusimin tonë themelor do ta bëjmë këtu. Ne llogarisim se kemi hapësirë të madhe të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, duke filluar nga energjetika, nga turizmi, nga infrastruktura, dhe në realizimin e projekteve të përbashkëta të cilat do t’i bashkërendisim me ju, dhe këto projekte pastaj do të jenë projekte përmes të cilave do të ndërlidhemi edhe me vendet e tjera në regjion.
Përkrahen tuaj që e keni dhënë, edhe personale edhe e Qeverisë shqiptare, sa i përket njohjes nga vendet e tjera, e konsiderojmë si përkrahje të veçantë, sepse Kosova ka nevojë që në këto momente të njihet nga më shumë vende sidomos nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur akoma Kosovën.
Poa shtu e çmojmë përkrahjen tuaj edhe në anëtarësimin tonë në institucionet tjera shumëkombëshe, sepse prezenca jonë atje është me rëndësi themelore për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe për dhënien e kontributit tonë paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajon, por edhe paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe paqes botërore.
Ne e vlerësojmë shumë këtë bashkëpunim, ju falënderojmë shumë për përkrahjen tuaj, dhe po ashtu edhe sot theksoj përkushtimin tonë që këtë bashkëpunim ta thellojmë edhe më tutje.