Sekretari i Përgjithshëm i BIK-ut: Të rinjve po u ofrohen nga 20 mijë $ në muaj që t’i bashkohen ISIS-it

Rekrutimi i të rinjve kosovarë në luftërat e Sirisë dhe Irakut, po bëhet përmes premtimit të pagave mujore jashtëzakonisht të mëdha.

Lajme

08/03/2015 20:08

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Resul Rexhepi, në një bisedë për gazetën norvegjeze “VG”, ka thënë se të rinjve të papunë kosovarë po u premtohen paga mujore nga 20 deri në 30 mijë dollarë që të udhëtojnë për në Siri apo Irak, për të luftuar përkrahë militantëve të ISIS, transmeton lajmi.net.

Kjo po ndodhë sipas tij, në Kosovën ku paga mesatare mujore është rreth 200 euro dhe ku mesatarja e numrit të të rinjve të papunë arrin deri në 55 për qind.

Ky udhëheqës islamik ka frikë se është situata ekonomike në vend ajo që ka ndikuar që shumë të rinj mysliman të radikalizohen.

“Për fat të keq ata kanë arritur që t’ua ndërrojnë pikëpamjet disa prej bijëve tanë. Kjo është turp!”, thotë kleriku mysliman.

“Për islamin heroizëm më i madh është nëse i ndihmoni familjes dhe vendit, se sa të shkoni diku që quhet luftë e shenjtë”, thotë Rexhepi, i cili është një ekspert i Sheriatit – ligjit të shenjtë islam.

2

Mirsad Ademi 30 vjeçar, bashkë me nënën, Zahide Ademi (62) dhe babain Esat Ademi (65)

Gazeta norvegjeze “VG” ka vizituar edhe qytetin e minierave në veri të Mitrovicës ku papunësia është mbi 70 për qind.

“Ka pasur njerëz këtu në rrethin tonë që janë përpjekur të rekrutojnë njerëz të papunë për ISIS-in”, thotë Mirsad Ademi 30 vjeçar.

Floktari i cili vetë ka jetuar në Norvegji si refugjat deri në fillim të viteve 2000, thotë të ketë dëgjuar për disa persona që kishin pranuar këto oferta.

“Kur ju nuk keni para as për bukë jeni në gjendje të bëni gjithëçka. Të dy grupet, si ato kriminale edhe ato ekstremiste përpiqen që të rekrutojnë të rinjët e pa shpresë”.

Sipas qeverisë së Kosovë, janë rreth 200 luftëtarë nga Kosova të cilët i janë bashkuar luftërave në Lindje të Mesme, por ata pranojnë se shifrat jozyrtare mund të jenë edhe më të mëdha se kaq.

Në Kosovë, 96 për qind e popullsisë janë myslimanë, dhe vendi është konsideruar të jetë një shoqëri me islam liberal.

Resul Rexhepi tha për “VG” se shumë persona që kanë shkuar të luftojnë në Siri dhe Irak, e kanë kuptuar se ato luftëra nuk kanë të bëjnë me islamin dhe luftën e shenjtë.

Ai thotë se personalisht ka dijeni për disa raste specifike që kanë kërkuar të kthehen në Kosovë, por atë e kanë të vështirë ta bëjnë. (lajmi.net)