Ferizaj me mural për bashkim familjar

Me rastin e 8 Marsit qytetit të Ferizajt i është shtuar murali me figurën që shënon bashkimin familjar. Ky mural është punuar nga një grup artistesh ferizajase dhe është vendosur në ballinën e njërit prej pallateve të Ferizajt.

Lajme

08/03/2015 17:45

Drejtori i Administratës komunale të Ferizajt, Naim Ferati në ceremoninë e përurimit të këtij murali ka thënë se murali pasuron vlerën e artit në vazhdimësi dhe si i tillë i bën nder Ferizajt.

“Urojmë që qytetit t’i shtohen edhe punime tjera, vlera tjera, që bartin mesazhe pozitive përmes artit”, ka thënë Ferati, i cili ka sjell urimet edhe të kreut komunal, Muharrem Svarqa për këtë ditë shumë të rëndësishme.

Ndërsa udhëheqësja e këtij projekti, njëherësh kryetare e shoqatës së artistëve figurativ “Zef Kolombi” nga Ferizaj, Lebibe Topalli ka thënë se shoqata i ka kushtuar rëndësi të veçantë festës së gruas, kësaj radhe pak më ndryshe, duke punuar një mural me tematikë që i dedikohet kësaj feste.

“Shpresoj se do të pëlqehet ky mural për shkak të temës dhe punës që është bërë për pesë ditë nga grupi i artisteve ferizajase”, ka thënë Topalli, duke falënderuar gjithë ata që kanë kontribuar për punimin e tyre.

Edhe profesori Muhamet Ahmeti, përzgjedhës i këtij punimi ka thënë se është krijuar një vepër e mirë arti, marrë parasysh kohën e shkurtër për krijimin e tij, një vepër shumë mbresëlënëse arti që do të pëlqehet nga publiku.

Ky projekt është mbështetur nga Drejtoria për Kulturë e Ferizajt dhe një numër donatorësh, të cilët janë falënderuar nga artistet e kësaj shoqate për kontributin e dhënë.

Murali është punuar nga të rejat që bëjnë pjesë në shoqatën “Zef Kolombi”, Lebibe Topalli, Antigona Heta, Pranvera Sylejmani, Laura Brahimi, Ida Avdiu dhe Rrezarta Halili, të cilat janë nderuar me mirënjohje dhe me nga një buqetë me lule.