Rreth 10 për qind të bizneseve kosovare udhëhiqen nga gratë
Në Kosovë ka shumë gra të cilat udhëheqin bizneset e tyre. Pavarësisht shumë sfidave, disa prej tyre kanë arritur të krijojnë biznese të suksesshme dhe fitimprurëse. Ato menaxhojnë bizneset e veta me përkushtim dhe me afarizëm pozitiv.
Lajme
Rita Aliti, 18 vjeçe, nga Prishtina, është pronare e biznesit “Inventa”, e cila merret me dizajnimin dhe krijimin e bizhuterive punë dore. Rita tregon pwr Radion Evropa e Lirw se është mjaft e përkushtuar në punën e saj dhe se, përveç shkollimit, ajo arrin të zhvillojë edhe biznesin.
“Ideja për këtë biznes ka filluar qysh kur kam qenë e vogël dhe gjithmonë kam pasur dëshirë të bëj këso gjërash, siç janë bizhuteritë. Fillimisht, kam nisur të bëj vetëm për vete, mirëpo duke e parë që njerëzit që më rrethonin interesoheshin për këto punime, kam vendosur ta zgjeroj veprimtarinë dhe ta bëj hobin biznes”, thotw ajo.
Rita biznesin e kishte krijuar në moshën 15-vjeçare. Pavarësisht moshës së re, ajo ka arritur me sukses nga shtatë produkte, sa ka numëruar në fillim, t’i rrisë në mbi 700 modele të bizhuterive.
Shitjen e këtyre prodhimeve ajo e realizon përmes rrjeteve sociale, derisa tregon se së shpejti do të ketë ueb-faqen e saj, ku do të mund të blihen produktet e saj online.
“Në fillim ka qenë e vështirë, duke e pasur parasysh se kur e kam hapur biznesin tim, i kam pasur vetëm 15 vjet dhe nuk kam pasur eksperiencë për punët e biznesit, nuk kam ditur as ta promovoj biznesin tim. Duke u rritur biznesi, rritesha edhe unë dhe mësoja gjëra të reja, si të bëj biznes, pastaj duke u konsultuar edhe më njerëz që kanë biznese, jam mësuar si të bëhet biznesi dhe kështu kam arritur që tani ta kem një biznes të suksesshëm”, rrëfen Aliti.
Një biznes mjaft të suksesshëm dhe fitimprurës udhëheq në Kosovë edhe dyzetvjeçarja Havushe Bunjaku nga fshati Kishnicë.
Ajo është themeluese e ndërmarrjes “99 LULE”. që merret me grumbullimin e bimëve mjekuese, aromatike dhe prodhimin e çajeve.
Bunjaku tregon se biznesin e ka themeluar para 10 vjetësh.
“Me profesion jam biologe, isha e papunë dhe të vetmen gjë që mund ta bëja ishte të bëja diçka që lidhej me profesionin tim, kështu që vendosa të merrem me grumbullimin e bimëve mjekuese aromatike që produkt final kanë çajet. Si produkt mungonte në tregun e Kosovës”, tregon ajo.
Udhëheqja e biznesit në Kosovë nga një grua ka mjaft vështirësi dhe sfida, tregon Bunjaku, megjithatë ajo thotë se kishte vendosur të mos ndalet së realizuari qëllimin e saj, që ishte krijimi i një biznesi që do t’i mundësonte asaj një jetë më të mirë ekonomikisht.
“Kam pasur përkrahjen vetëm të burrit dhe familjes, sa i përket anës financiare kam pasur shumë pak përkrahje prej shoqatave të grave, por jo aq sa do t’i duhej një biznesi. Jemi ballafaquar me shumë probleme, por tani jemi mirë, kemi produkt të qëndrueshëm dhe kemi konsumatorët tanë”, tregon Bunjaku.
Bunjaku ka arritur që në biznesin e saj të punësojë edhe 15 gra tjera.
Por, megjithatë, edhe pse në Kosovë ekzistojnë gra të suksesshme që udhëheqin biznese, ende shifrat e tyre janë shumë të ulëta. Vlerësohet se vetëm rreth 10 për qind e bizneseve janë në pronësi të grave.