Krasniqi: Deklarata e europarlamentarit francez s’është diçka e re
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Jakup Krasniqi nëpërmjet një shkrimi ka reaguar ndaj deklaratës së eurodeputetit francez Aymeric Chauprade i cili ka thënë se “Parisi ka bërë gabim historik që e ka njohur pavarësinë e Kosovës’.
Lajme
Krasniqi në shkrimin e tij deklaron se kjo që ka thënë Chauprade nuk është asgjë e re pasi që ai është anëtar i partisë së djathë ekstreme e të udhëhequr deri pak kohë më parë nga Jean-Marie Le Pen-i e tani nga vajza e tij, Marine Le Pen.
Krasniqi sjell një fragment të qëndrimeve të Jean-Marie Le Pen-it, lidhur me Serbinë dhe luftërat e organizuara prej saj.
“Në një intervistë dhënë gazetës kroate ‘Jutarni List’, vite më parë, Le Pen-i jo vetëm që nuk e fshehu qëndrimin e tij pro-serb por ai pohoi haptazi se Vojislav Shesheli, Radovan Karagjiq dhe Biljana Plavshiq, tre krijuesit e politikës së spastrimit etnik dhe gjenocidit në Bosnje, janë miq të tij. Arroganca e Le Pen-it shkoi deri në atë shkallë sa u bëri thirrje kroatëve që të mos mbështesin Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Ky qëndrim i Le Pen-it është i kuptueshëm, sepse i ndiqeshin miqtë për gjenocidin e kryer në Bosnje. Në të njëjtën kohë, kjo figurë politike e ekstremit të djathtë të politikës franceze dhe evropiane deklaroi se ka mbështetur Serbët në luftën e tyre kundër NATO-s dhe amerikanëve”, thotë Krasniqi.
Sipas Krasniqit stigmatizimi i shqiptarëve në përgjithësi dhe i Kosovës në veçanti nuk është karakteristikë vetëm e të djathtës ekstreme në shtetet e demokracive perëndimore. Në përhapjen e stigmatizimeve të tilla janë angazhuar intelektual të profileve të ndryshme dhe të orientimeve ideologjike të tërë spektrit politik: nga e djathta ekstreme e deri te e majta ekstreme.
“Për ata që janë te interesuar të dinë më shumë rreth kësaj çështje ju sugjeroj veprën e politologut Bardhyl Mahmuti ‘Mashtrimi i madh’. Në këtë vepër do të shihni se si për shkak të verbërimit ideologjik me ‘antiamerikanizëm’ njerëz të njohur si përfaqësues të së majtës si Regis Debreay-ja, Serge Halimi, Jean-Luc Mélenchon-i, Jürgen Elsässer-i ndodhen në një tabor me Jean-Marie Le Pen-in, Xavier Raufer-in, Dick Marty-in, Christophe Blocher-in dhe përfaqësues tjerë të ekstremit të djathtë”, thotë Krasniqi.