Viets: Mosthemelimi i Gjykatës Speciale i prish raportet mes Kosovës dhe BE-së

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, ka paralajmëruar pasoja negative në rast se Kosova dështon të themelojë Gjykatën Speciale.

Lajme

02/03/2015 08:10

Në një bisedë për “Kohën Ditore”, Viets e ka vlerësuar të rrezikshëm debatin aktual rreth Speciales.

“BE-ja dhe Kosova bashkërisht kanë marrë vendim për themelimin e Gjykatës. Për këtë ka pasur një letërkëmbim të BE-së me Kosovën.

“Themelimi i Gjykatës është i mirë për Kosovën. Është e rëndësishme të mos synohet rinegocimi i marrëveshjes për Gjykatën Speciale. Diskutimi aktual është i rrezikshëm për imazhin e Kosovës si partner serioz”.

“Nëse Kosova tani distancohet nga marrëveshja, shtrohen shumë çështje rreth besueshmërisë së saj”, ka theksuar Viets.

Ambasadorja gjermane ka përmendur faktin se nëse Kosova nuk e themelon Gjykatën këtë do ta bëjë Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Sipas Viets, ky do të ishte kthim mbrapa në përpjekjet e Kosovës për ta forcuar sovranitetin.