AAK mbështetë protestat, por dënon dhunën
Sot kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend dhe për protestat e së martës.
Lajme
Përmes një komunikate për media, thuhet se Kryesia e AAK-së vlerëson se protestat janë një mjet demokratik për të shprehur pakënaqësi qytetare të cilësdo natyre.
Sipas kësaj komunikat, bëhet e ditur se AAK do të vazhdojë të mbështesë protestat gjithëpopullore, por ka dënuar dhunën reciproke që ndodhi në protestën e ditës së kaluar, si nga ana e policisë po ashtu dhe të protestuesve.
“Kërkesat tashmë të identifikuara dhe të drejtuara Qeverisë janë legjitime dhe të drejta. Aleanca beson se protestat qytetare për veprime apo mosveprime të caktuara të Qeverisë nuk kanë për qëllim dëmtimin e shtetit, por përkundrazi, fuqizimin e tij dhe ndërprerjen e fyerjes, nënçmimit dhe shantazhimit të vazhdueshëm ndaj qytetarëve dhe vendit”.
“Qeveria e Kosovës e bartë përgjegjësinë e plotë, si për veprim, ashtu edhe për mosveprim.
“Aleanca do të vazhdojë përkrahjen dhe mbështetjen e protestave gjithëpopullore deri në realizimin e kërkesave legjitime dhe të drejta”.
“Në të njëjtën kohë, Aleanca distancohet dhe dënon dhunën reciproke e cila është ushtruar në rrugët e kryeqytetit dhe njëkohësisht fton Qeverinë që të reflektojë ndaj kërkesave dhe mos të tentojë të zhdukë problemet e qytetarëve dhe të vendit përmes përdorimit të aparatit policor. Kosova ka përvojë tepër të gjatë dhe të hidhur me situatat kur problemet provohen të zgjidhen me polici”, thuhet në njoftimin për media. (Lajmi.net)