Mustafa e Thaçi: Opozitarët po tentojnë me dhunë ta marrin pushtetin

(Plotësim) Kryeministri Isa Mustafa kërkesat për shkarkim të ministrit Aleksandar Jabllanoviq dhe për Trepçën, i ka quajtur si pretekst i opozitës për të nisur protesta të dhunshme. 

Lajme

27/01/2015 17:17

Ai gjatë një konference të jashtëzakonshme me zëvendëskryeministrin, Hashim Thaçin, ka thënë se Trepça nuk do të hyjë në bisedime në Bruksel.

Ndërsa i është shmangur pyetjes për shkarkim të Jabllanoviqit, duke thënë se sheshet e shkatërruara, nuk janë të ndërtuara nga ky ministër, por nga taksat e qytetarëve të Prishtinës.

“Unë po nisem nga vendi ku u organizuan protestat sot. Sheshi që u organizuan protesta nuk është sheshi Jabllanoviqit, është sheshi Ibrahim Rugova, Zahir Pajaziti, Nënë Tereza. Ata dëmtuan pamjen tonë, identitetin tonë”.

“Dikush që përkrah sjelljet e Jabllanovqiit, sot është gëzuar me pamjet që ka parë. Trepça është shumë e qartë, ajo është e jona dhe është në territorin e Republikës së Kosovës. As në mend s’e kemi që të hapim dialog për të në Bruksel”.

“Trepça është pronë e këtij vendi”.

“Nuk ka të drejtë as kryetari i Komunës, as partia e tij, simpatizantët e tij, nuk kanë të drejtë ta shkatërrojnë sheshin. Ne e kemi ndërtuar qoftë si vlerë shoqërore. Sepse këto para janë që ne i kemi investuar, nuk janë para që kanë ardhur nga qielli ato janë të qytetarëve”.

—————————-

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi kanë mbajtur konferencën e parë pas protestës së sotme.

Mustafa e ka quajtur këtë protestë të motivuar politikisht. Ai ka thënë se kjo protestë e ka dëmtuar shumë shtetin e ri të Kosovës dhe pronat e qytetarëve.

“Kjo protestë është nxitur nga disa akterë politikë që po dëshirojnë që me dhunë ta marrin pushtetin”. 

“Qeveria e Kosovës, sot gjatë tërë ditës ka ndjekur me shqetësim të thellë ngjarjet e dhunshme në sheshin e Prishtinës të organizuar nga partitë politike opozitare. Qeveria dënon dhunën”.

“Qeveria shpreh keqardhjen e thellë për të gjithë të lënduarit në protestën e sotme. Ajo krijon nxitje politike dhe dhunën e ushtruar ndaj institucioneve publike, qytetarëve, pronës private dhe policisë së Kosovës”.

“Qeveria e Kosovës është sulmuar ashpër. Sheshet e Prishtinës janë dëmtuar në masë të madhe. Janë sulmuar hapësirat publike, dhe pronat publike. Protesta e sotme e motivuar politikisht i ka bërë dëm jashtëzakonisht shtetit”.

“Qeveria bën thirrje për ndërprerje të akteve të dhunës ndaj institucioneve, pronave publike, qytetarëve dhe policëve”.

“Po ashtu, Qeveria e Kosovës vlerëson se protesta nuk duhet të përdoret për të përmbushur ambiciet për qytetet, meqenëse pushteti fitohet vetëm me votën e lire të qytetarëve të Kosovës e jo me dhunë”.

“Qeveria e Kosovës po ashtu, fton të gjithë qytetarët për qetësi dhe durim”. 

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka ftuar partitë opozitare të vazhdojnë dialogun në Kuvend dhe jo, siç është shprehur ai, përmes dhunës në rrugë.

“Mbështes plotësisht kryeministrin Mustafa. Protesta është mjet demokratik, këto protesta nuk kanë pasur objektiva qytetare dhe vullnet qytetar por, thjesht objektiva politikë”.

“Ato kanë qenë të organizuara nga tri subjektet opozitare”.

“Dialogu mes pozitës dhe opozitës duhet të zhvillohet në parlament e jo me dhunë në sheshe. Nuk do të dorëzohemi përballë dhunës”.

“I falënderojmë qytetarët e Kosovës që nuk i janë bashkëngjitur akteve të dhunës. I falënderojmë policët për sjellje të përmbajtur dhe mbrojtjes së pronës e jetërave të qytetarëve. Ata sot shpëtuan Kosovën nga më e keqja”.

“Disa protestues të dhunshëm filluan sulmet kundër policisë duke lënduar me dhjetëra policë, të cilët kanë dhënë betim që do ta mbrojnë vendin, ligjin”.

“Të nxiturtur nga politikanët e caktuar ata kanë vazhduar me dhunë, duke demoluar qendrën e qytetit. Janë dëmtuar objekte publike, shumë lokale private, por edhe ambasada e një shteti mik që ka njohur pavarësinë e Kosovës”.

“Këto janë gjeste të papranueshme. Ky është një tentim i marrjes së pushtetit me dhunë. Pushteti fitohet me votë të qytetarëve e jo me dhunë”.

“Vetëm parlamenti është përfaqësues legjitim i popullit nga zgjedhjet që del”.

“Qeveria e Kosovës, populli i Kosovës, miqtë Kosovës që të gjithë jemi kundër dhunës, dhe ata që bënë dhunë janë minorancë”.

“Konsideroj se nuk kemi arsye të kemi pamje të tilla në kryeqytetin tonë. Ftojmë subjektet politike që çdo shqetësim ta zgjidhin dhe shprehin në Kuvend dhe rrugë demokratike”.

“Ritheksoj se sot në Prishtinë ka ndodhur ajo që më së paku i është dashur shtetit tonë të ri”.