Çollaku përgëzon Komunën e Gjakovës për procesin e riatdhesimit

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku vizitoi të enjten Gjakovën, ku u prit nga kryetarja Mimoza Kusari-Lila, me të cilën bisedoi për procesin e integrimit evropian të Kosovës, proces ky që nga të dy bashkëbiseduesit u cilësua si shumë i rëndësishëm.

Lajme

22/01/2015 19:45

Roli i komunave në procesin e integrimit evropian është thelbësor dhe i pazëvendësueshëm, prandaj edhe më tej duhet të fuqizojmë bashkëpunimin me komunat në procesin e integrimit evropian, deklaroi Çollaku.

“Integrimi në Bashkimin Evropian është një proces i transformimit të shoqërisë, i evropianizimit të vendit dhe kjo nuk mund të bëhet nga lartë-poshtë, prandaj integrimi i Kosovës në BE fillon nga komunat”, citohet ministri Çollaku në njoftimin e dërguar nga Ministria.

Ai përgëzoi Komunën e Gjakovës për ofrimin e kushteve për komunitetet me të drejta të plota.

“E përgëzoj Komunën e Gjakovës që ka ndarë 4 hektarë tokë për dhënie në shfrytëzim për ndërtimin e shtëpive për komunitetet rome, ashkalie dhe egjiptiane”, tha Çollaku.

Ai shtoi se, si ministër dhe kryesues i Komitetit Drejtues Ndërministror, do të vazhdojë ta mbështesë procesin e integrimit të këtyre komuniteteve përmes Strategjisë dhe Planit të Veprimit.

Kryetarja e Gjakovës shprehu bindjen se Kosova do të ketë vendin e saj të merituar në familjen e madhe evropiane.

Gjatë vitit 2014 në Kosovë janë riatdhesuar 4,610 persona, 1,258 në mënyrë vullnetare, ndërsa 3,352 personave të tjerë iu është imponuar riatdhesimi. Në komunën e Gjakovës gjatë vitit 2014 janë ripranuar 321 persona. (ATSH)