Nga viti 2016, qeveria do të orientohet më shumë nga huamarrja jashtë vendit
Në bazë të strategjive të miratuara nga Ministria e Financave, Qeveria e Kosovës parasheh që nga viti 2016 të marrë borxh ndërkombëtar e të mos konsumojë tregun vendor me huamarrje.
Lajme
Kjo është bërë e ditur nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mbajtur të mërkurën.
Ministri Hoti, gjatë prezantimit para kabinetit qeveritar të propozim-vendimit për miratimin e Programit të Borxhit Shtetëror për vitet 2015-2017, ka thënë se borxhi është harmonizuar me buxhetin për vitin 2015 si dhe me strategjinë afatmesme buxhetore 2015-2017.
“Për vitin 2015 është paparë në total huazimi prej 57 milionë eurosh nga financimi i jashtëm dhe 100 milionë euro nga financimi i brendshëm përmes lëshimit të letrave me vlerë. Për vitin 2016 dhe 2017 janë vetëm indikative pasi strategjia e re do të përgatitet bashkë me kornizat afatmesme në prill të këtij viti”.
“Në bazë të strategjive të miratuara ne kemi menduar që ajo e treta është më e mira, e cila nënkupton që ne prej vitit 2016 të hymë më shumë në borxh ndërkombëtar e të mos konsumojmë tregun vendor me huamarrje”, ka thënë Hoti.
Ekzekutivi ka miratuar edhe planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve nga Raporti i Progresit për vitin 2015, të përgatitur nga Ministria e Integrimeve Evropiane.
Ministri, Bekim Çollaku, gjatë prezantimit të këtij plan-veprimi, ka thënë se ky plan mbulon 85 fusha të qeverisjes dhe parasheh 215 masa.
“Plani i veprimit mbulon mbi 85 fusha të qeverisjes dhe parasheh 215 masa të ndryshme, të ndara në tre kapituj kryesorë: kriteret politike, ku parashihen gjithsej 73 masa, kriteret ekonomike, ku parashihen gjithsej 13 masa, dhe te plotësimi i standardeve evropiane, ku parashihen gjithsej 129 masa”.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit që preken nga ndërtimi i rrjetit shpërndarës unazor të transmetuesve dhe infrastrukturës përcjellëse për nevoja të institucioneve shtetërore dhe të sigurisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për përbërjen e komisionit për provimin e jurisprudencës. Po ashtu, është miratuar edhe vendimi për strukturën, organizimin dhe funksionimin e zbatimit të reformës së administratës publike të Këshillit Ndërministror për Reformën e Administratës Publike.