Duhet ndryshuar Kushtetuta, për të mos u bllokuar funksionimi i shtetit
Ministri i Diasporës, Valon Murati vlerësoi se duhet krijuar kushte diasporës sonë që të jetë pjesë e votimit legjislativ në Kuvendin e Kosovës.

Lajme
(E plotësuar)
Ministri Murati, i cili vjen nga Lëvizja për Bashkim, tha se ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës është i domosdoshëm.
Sipas tij, pakicat nuk duhet të kenë të drejta të tilla, sa të bllokojnë ndryshimin e Kushtetutës.
“Riaranzhimi i Kushtetutës, së paku do të thotë që pakicat të mos e kenë të drejtën që me 2/3 të bllokojnë Kushtetutën e Kosovës, sepse janë pakicë e vogël në numër”.
“Tash kam frikë se me Listën Serbe ndryshimi i Kushtetutës do të jetë më problematik”.
Duke folur për dialogun me Serbinë, Murati tha se çdo aranzhman që do të bëhet për komunat serbe brenda territorit të Kosovës, po ato të drejta duhet t’iu garantohen edhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Ne kemi menduar që në dialogun me Serbinë, çdo aranzhman që do të vlejë për tre komunat veriore serbe të vlejë edhe për tre komunat shqiptare në Kosovën Lindore”.
“Duhet të kemi një reciprocitet në të drejta”, tha Murati për KTV, transmeton lajmi.net.
_____________________________________________________________________
Ministri Valon Murati tha se ai e hapi çështjen e deklarateve të ministrit Aleksandar Jabllanoviq në mbledhje të Qeverisë, sepse, sipas tij, ai e kishte për obligim politik dhe moral një gjë të tillë.
Ai tha se për një situatë të tillë, e pakta që do të duhej të bënte kryeministri Mustafa do të ishte një vërejtje për ministrat serbë se ata nuk mund të flasin çka të duan.
Ai shtoi se pasi u fikën mikrofonat, as që u diskutua për kërkesën e tij, që Qeveria të dilte me një qëndrim, por tha se u fol për çështje tjera.
“Ajo ishte shumë publike. Unë e ndjeva një obligim moral e politik që ta shtrojë këtë çështje. Qëndrimi mund të ishte që ta tolerojmë këtë gjendje apo deri tek shkarkimi. Unë besoj se është dashur të diskutohet në Qeveri. Është çështja se në çfarë pozicioni je. Deklaratat që i dhanë ministrat, jo vetëm Jabllanoviq, por edhe në vizitën e Vuçiqit, në një situatë më të konsoliduar të shtetit të Kosovës sigurisht se do të përfundonte me një shkarkim. Por së paku është dashur ta marrin një vërejtje, se nuk mund të flasin si të duan, në një shtet ku ka një Kushtetutë.
Mendoj se ata u gjetën të befasuar nga kërkesa ime dhe ajo u kalua në heshtje. Për çështje të tilla qeveria duhet të ketë qëndrime se ne do përballemi me situata të tilla prapë dhe ne nuk mund t’i kalojmë në heshtje. Edhe në pjesën që nuk u dëgjua, nuk pati debat, por u fol për diçka tjetër. Me aq përfundoi debati. Mendoj se ajo ishte një përpjekje për të dalë nga situata. Ashtu unë e interpretoj”, tha Murati.
________________________________________________________
Ai për Rubikon të KTV-së tha se kjo gjë do të jetë e vështirë për shkak se kërkon ndryshimin e Kushtetutës së vendit, por tha se do të punojnë më shumë në lehtësimin e votimit të diasporës.
“Një nga objektivat e strategjisë së diasporës është edhe e drejta politike e diasporës. Është diskutuar dhe është pjesë e strategjisë që diaspora të ketë lehtësi në planin e votimit, por edhe që të ketë pesë vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës”.
“Kjo është ai fundi i cili nuk është i lehtë, për shkak të ndryshimit të Kushtetutës dhe futja e kësaj kuote do të jetë shumë gjë e vështirë, por ne do të bëjmë përpjekje që me MPJ-në ta lehtësojmë këtë proces, që diaspora jonë të jetë pjesë e votimit legjislativ”.
Ministri Murati tha se diaspora më nuk duhet shikuar vetëm si faktor i rëndësishëm i mbijetesës, por se ata duhet shikuar si investitorët e parë për çdo ofertë që ka në Kosovë.
“Ka përfunduar koha që ne e trajtojmë diasporën si shtyllë të mbijetesës, por ne duhet ta trajtojmë atë edhe kur kemi një ofertë për të investuar në Kosovë”.
“Duhet ketë një lehtësim të veçantë. Mirëpo, nuk mund të krijojmë hapësirë diskriminuese, por kur do të krijojmë ambient të mirë të investimeve, dhe kur bëjmë një ofertë të mirë, dhe të jemi realistë atë ofertë duhet ta bëjmë tek diaspora jonë dhe ata do të jenë të parët që do të na sjellin një ofertues serioz. Diaspora është dera e parë, është ura e parë që na lidh me investitorët e huaj”, tha Murati, transmeton lajmi.net.