PE brengoset me kabinet të madh qeveritar dhe pak gra në qeverinë Mustafa
Parlamenti Evropian shpreh keqardhje për numër aq të madh të ministrave dhe zëvendësministrave, si dhe për numër aq të vogël të femrave në struktura qeveritare.
Lajme
Parlamenti Evropian përshëndet tejkalimin e ngërçit politik, mirëpo shpreh brengosjen për emërimet në qeveri të personave, siç thuhet, jo konsensual, prapavija e të cilëve është e dyshimtë.
Kjo qëndron në draftin e Rezolutës, tekst ky i cili u prezantua në Komitetin për politikëve të jashtme të PE-së, raporton RTK.
Në draft, Parlamenti Evropian shpreh keqardhje për numër aq të madh të ministrave dhe zëvendësministrave, si dhe për numër aq të vogël të femrave në struktura qeveritare.
Autore e tekstit është raportuesja për Kosovën në këtë institucion, Ulrike Lunacek. Nëpërmjet dokumentit në fjalë, kërkohet nga Qeveria e re e Kosovës që me urgjencë, me përkushtim dhe vendosmëri të nisë procesin e reformave.
“Performanca e lidreshipit të Kosovës do të matet me rezultatet konkrete që do t’iu ofrohen qytetarëve të Kosovës si dhe partnerëve evropianë dhe ndërkombëtarë”.
Në draft të rezolutës, të prezantuar nga vet Lunacek, shprehet brengosje për shkak të mungesës së progresit të mjaftueshëm në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo, siç thuhet, paraqet pengesë në zhvillimin demokratik social dhe ekonomik të Kosovës.
Teksti i draftit merret edhe me aferën në EULEX. Shprehet brengosje për pohimet për korrupsion në këtë mision dhe kërkon transparencë e plotë në hetimet që po bëhen nga ana e ekipit të Federica Mogherinit.
“Rivendosja e kredibilitetit të EULEX-it është e rëndësisë së veçantë”, thuhet në draft dhe nënvizohet se ajo çfarë ka ndodhur me EULEX duhet të shërbejë si mësim jo vetëm në rastin e Kosovës por edhe në misionet e ngjashme në të ardhmen në botë.
Nga pala kosovare kërkohet miratimi sa më i shpejtë i legjislacionit që lejon themelimin e Gjykatës Speciale.
Nëpërmjet këtij drafti kërkohet nga Këshilli i BE-së që të marrë vendim qysh në pjesën e parë të këtij viti që të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën.
Si në secilën rezolutë të viteve të fundit, edhe kjo iu bën thirrje pesë vendeve të BE-së që të njohin shtetin e Kosovës, duke argumentuar se kjo do lehtësojë normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Në tekst thuhet se Parlamenti ka parasysh progresin e bërë nga ana e Kosovës në përmbushjen e kërkesave për liberalizim të vizave, por kërkohet angazhim shtesë, ndërkohë që shprehet brengosja për shtim të numrin të qytetarëve që largohen nga vendi andaj kërkohet nga autoritete kosovare që të luftojnë dhe thyerjen e rrjeteve kriminele që merren me trafikim të njerëzve.
Drafti i prezantuar tani është i hapur për amendamente, ndërsa teksti do të votohet në fund të muajit shkurt, kur edhe merr formën e rezolutës së Parlamentit Evropian. /RTK/