Qeveria tërhiqet pjesërisht nga Trepça, ndryshon projektligjin
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme aprovoi propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e projektligjit 04/L-35, për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre.
Lajme
Ky ndryshim u vendos, në mënyrë unanime në mbledhjen e shtatë të Qeverisë, i cili ju bashkëngjit menjëherë planit legjislativ për këtë vit.
Këtë propozim e bëri i pari i Qeverisë, Isa Mustafa, i cili i ka ftuar të gjithë të pranishmit të votojnë për, pasi që sipas tij ky propozim ka qenë harmonizuar, pasi që është punuar që një kohë të gjatë.
“Më lejoni të hap mbledhjen e shtatë e Qeverisë së Kosovës dhe të propozoj për rend të ditës shqyrtimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit me numër 04/L-35 për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre. Nuk kishim shqyrtuar sot pika të ndryshme sepse jemi të lidhur me seancën e Kuvendit , por iu propozoj që vetëm ta shqyrtojmë këtë pikë”, tha Mustafa.
E Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, dha shpjegime për këtë pikë të rendit të ditës. Ai tha se me ndryshimin e këtyre dy neve të caktuara, do të rregullohen më mirë afatet kohore të dorëzimit dhe zbatimit të këtyre planeve për riorganizim.
“Më lejoni që para jush të paraqes projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 04/L-035 për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre. Duke pasur parasysh problematikën e krijuar me afatet kohore të zbatimit të planeve për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, ne kemi parë të arsyeshme që të bëjmë plotësim-ndryshimin e Ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, në mënyrë që t’i rregullojmë më mirë afatet kohore të dorëzimit dhe zbatimit të këtyre planeve për riorganizim. Ne i kemi bërë dy ndryshime, të dy nene të caktuara, me të cilat këto periudha kohore rregullohen shumë më mirë, prandaj iu ftoj që ta miratojmë këtë Projektligj”, tha Stavileci.
Pasi që të gjithë të pranishmit ishin pro ndërrimit të këtij ligji, Mustafa konstatoi aprovimin e këtij Ligji.
“Konstatoj se Qeveria aprovoi propozimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr 04/L-035 për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre. Dhe po ashtu ky s’ka qenë pjesë e planit legjislativ, propozoj që t’i bashkëngjitet planit legjislativ për këtë vit”, ka deklaruar kryeministri Mustafa.
Vendimi erdhi, si ndryshim i vendimit të mëparshëm që pritej sot të dërgohej për votim në Kuvend, e me të cilin Trepça do t’i kthehej nën menaxhim shtetit.
Ky ndryshim thuhet të ketë ardhur si pasojë e pamundësisë, që Qeveria menjëherë të marrë nën menaxhim Trepçën, shkaku i borxheve të mëdha që ka ajo, rreth 1.4 miliardë euro, dhe pamundësisë së përballimit të tyre.
Me ndryshimin e ri të projektligjit, Trepça do të shkojë në riorganizim, duke parandaluar kështu falimentimin e saj, dhe rikthimin nën menaxhim të saj nga shteti, pas një periudhe 2 apo 3 viteve. (lajmi.net)