HIB Petrol prinë me kontributet në shtet

Sipas të dhënave që ka siguruar lajmi.net, top pesë importuesit më të mëdhenj të naftës në Kosovë gjatë vitit 2014 janë kompanitë: HIB Petrol; Ex Fis; Lab Oil; Al Petrol; dhe Mamid Oil.

Lajme

31/12/2014 12:24

Kompania HIB Petrol ka importuar në Kosovë 81 milionë litra naftë dhe po ashtu është taksapaguesja më e madhe. Kjo kompani gjatë vitit 2014 i ka paguar 41 milionë euro tatim Doganës së Kosovës.

Kompania EX Fis ka futur në Kosovë 60 milionë litra naftë, ndërsa vlera e të hyrave të mbledhura prej kësaj kompanie në Doganë është 30 milionë euro; Lab Oil ka importuar 59 milionë litra, ndërsa tatim në Doganë ka paguar njëjtë si kompania paraprake, 30 milionë euro.

Në vendin e katërt dhe të pestë janë radhitur kompania Al Petrol me 47 milionë litra naftë të importuar dhe 24 milionë euro për Doganën, ndërsa Mamid Oil me 24 milionë litra naftë të importuara ka paguar 12 milionë euro.

Në shumën pre 137 milionë eurove që është vlera e të hyrave të mbledhura në Doganë gjatë vitit 2014 nga nafta e importuar nga këto pesë kompani, nuk përfshihen tatimet tjera që ato kanë paguar në Arkën e Shtetit, si Tatimi në fitim dhe Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH).