Kurti: Ligji për luftërat e huaja, na ndalohet të luftojmë për Preshevën…

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se partia e tij është kundër miratimit të ligjit i cili ndalon pjesëmarrjen e shtetasve të Kosovës për pjesëmarrje në luftërat e huaja, pasi ai ua ndalon atyre edhe pjesëmarrjen në luftën eventuale në Luginë të Preshevës, Shqipëri e Maqedoni. 

Lajme

27/12/2014 19:54

Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se Qeveria e Kosovës pjesëmarrjen, anëtarësimin në organizata të ndryshme terroriste e ekstremiste islamike apo të tjera, ta shpallë vepër të dënueshme e të ndëshkueshme, dhe ligji të jetë specifik. 

“Shumë më mirë dhe më drejtë sesa kjo të bëhet me një ligj. Nëse ligji do të ishte specifikisht për pjesëmarrje në ë në të ardhmen, apo aktualisht në Siri apo në vendet rrotull atje në Lindjen e Mesme, jemi dakord. Mirëpo, në një ligj në të cilin askund nuk përmendet Siria dhe i cili do të mund të aplikohej edhe, nëse ta zëmë, hipotetikisht, Shqipëria ndodhet në një agresion, ose shqiptarët në Luginë të Preshevës, ose shqiptarët në Maqedoni dhe mandej, paradoksalisht, serbi i Kosovës me një pasaportë të Serbisë mund të shkojë në luftë në Luginë të Preshevës kundër shqiptarëve, ndërkaq, shqiptari i Kosovës nuk mund të shkojë në Luginë të Preshevës, kjo është e padrejtë dhe ne këtë duhet ta themi”, ka thënë Kurti. 

Ai thotë se ka frikë, se ky ligj në formën siq është propozuar në fillim, do të mund të keqpërdoret.

“Pra, e kam përshtypjen se ky ligj do të keqpërdoret që të bëhet më operacional, ajo që quhet “shtet policor”. E kemi parë qysh në Kosovë politika policore po e bënë edhe policinë politike dhe kjo duhet të marrë fund. Qoftë kur paralajmërohen dënime për emigrantët tanë nga 7 mijë e 500 euro nëse ikin jashtë vendit ilegalisht, qoftë atëherë kur provohet që të ndrydhet edhe më shumë qytetari i Kosovës. Pra, unë mendoj që këtu ka probleme të mëdha socio-ekonomike që duhet të adresohen me modele zhvillimore, ndërkaq ligjet duhet të jenë të qarta dhe të sakta, për shkak se në kushtet e një shteti të kapur çfarëdo paqartësie dhe pasaktësie, do të keqpërdoret. Vetëvendosje është kundër shkuarjes së shqiptarëve në Siri. Ne jemi kundër luftërave të tilla. Mendojmë që ato luftëra nuk kanë të bëjnë me shqiptarët, nuk janë luftëra tonat dhe pjesëmarrja atje është e padrejtë dhe është shumë e dëmshme”, ka thënë Kurti ndër të tjera.