Mustafa dhe Brukseli do ta shtrojnë çështjen e parkut të barrikadës

Prishtina gjatë javëve të ardhshme, me përkrahje të Brukselit, do të shtojë presionet kundër Beogradit dhe serbëve në veri të Kosovës që nga ura mbi Ibër në Mitrovicë të hiqet “Parku i Paqes”.

Lajme

23/12/2014 22:17

Kryeministri i ri i Kosovës, Isa Mustafa do të përpiqet, siç transmeton gazeta serbe “Novosti”, ta imponojë këtë si njërën nga temat kryesore në vazhdimin e dialogut politik me Serbinë, kur më 8 e 9 shkurt do të takohet me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Edhe Brukseli arritjen e zgjidhjes për urën e ka vënë si njërin nga kushtet për hapjen e kapitujve të parë negociues Serbi-BE, transmeton Koha.net njoftimin e kësaj gazete.

Nga ana tjetër, siç njofton gazeta e Beogradit, Serbia do të insistojë në qëndrimin se ura për serbët e veriut, në radhë të parë, është çështje sigurie dhe se asgjë në urë dhe përreth saj nuk bën të preket përderisa për të mos merren vesh prefekti i veriut dhe ai i jugut të qytetit, përkatësisht Goran Rakiq dhe Agim Bahtiri.

Përderisa Prishtina në vazhdim të dialogut do të insistojë për zgjidhjen e çështjes së “Parkut të Paqes”, Beogradi si temë kryesore do ta imponojë formimin e Asociacionit të komunave serbe.

Siç ka thënë për “Novosti” Aleksadar Jabllanoviq, ministër për Kthim e Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Asociacioni do të formohet brenda pesë muajve të ardhshëm, dhe ai do të njihet në sistemin e Serbisë, por edhe në atë të Kosovës dhe do të ketë buxhet të veçantë.

Prefekti i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, ka thënë për këtë gazetë të Beogradit se çdo veprim i njëanshëm rreth heqjes së “Parkut të Paqes” do të shkaktonte tensione të reja dhe se kjo nuk do të ishte në interesin e askujt.