Sulmet ajrore në Siri vranë të paktën 1,171 persona

Gjatë tre muajve të sulmeve ajrore të koalicionit në Siri janë vrarë të paktën 1,171 persona, pjesa dërmuese pjesëtarë të organizatës Shteti Islamik (IS), njoftoi të martën Opservatori për të drejtat e njeriut me seli në Londër. 

Bota

23/12/2014 17:27

Udhëheqësi i këtij opservatori, Rami Abdulrahman i tha agjencisë Reuters se në mesin e të vrarëve janë “vetëm” 52 civilë, transmeton lajmi.net. Mirëpo, rrjeti i aktivistëve të Opservatorit që shtrihet nëpër tërë Sirinë, thotë se të gjatë aksioneve ajrore të koalicionit, që ka filluar në fillim të shtatorit, janë vrarë edhe më shumë ekstremistë islamikë.

“Deri te shifrat e vërteta është e vështirë të arrihet për arsye të problemeve që kanë aktivistët me rastin e grumbullimit të të dhënave shkaku se xhihadistët i mbajnë sekret të dhënat për të vrarët në radhët e veta”, tha Abdulrahman.

SHBA-të dhe aleatët në muajt e fundit, krahasuar me muajin e parë të fillimit të bombardimeve, i kanë rralluar dukshëm sulmet ajrore në Siri. Nga fillimi e deri më 15 dhjetor ushtria amerikane ka kryer gjithsej 488 sulme ajrore.