Pas bastisjes, AAK liron Enver Berishën nga të gjitha funksionet partiake
Me një urdhër të Prokurorisë Speciale është bastisur zyra e nënkryetarit të Komunës së Klinës, Enver Berisha, i cili është edhe kryetar i degës së AAK-së në Klinë, kurse menjëherë pas kësaj selia qendrore e AAK-së në Prishtinë e ka liruar Enver Berishën nga të gjitha funksionet në këtë parti.

Lajme
(E plotësuar)
Në bazë të njoftimeve se Policia e Kosovës ka bastisur zyrtarët e Komunës së Klinës nga radhët e AAK-së, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e liroi Enver Berishën nga të gjitha funksionet partiake, deri në përfundimin e hetimeve, thuhet në kumtesën e kësaj partie.
____________________________________________________________________________
Bastisen zyra dhe shtëpia e nënkryetarit të Klines
Të hënën në mëngjes policia kreu bastisje në “Shtëpinë e Bardhë” – selia e Komunës së Klinës. Ata bastisën zyrën dhe më vonë edhe shtëpinë e nënkryetarit të Komunës, Enver Berisha.
Lajmi për këtë bastisje është konfirmuar për Express nga Prokuroria Speciale e Kosovës, duke mos dhënë më shumë detaje për shkaqet e bastisjes.
“Bastisja është kryer me urdhër të prokurorit special”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë, Astrit Kolaj.
Gazeta ka provuar të kontaktojë Enver Berishën, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve të gazetës. Ndërsa nga Komuna e Klinës nuk kanë dashur të komentojnë këtë bastisje.
Enver Berisha është kryetar i degës së AAK-së në Klinë. Pozita e nënkryetarit të Klinës i kishte takuar si pjesë e koalicionit me PDK-në në këtë komunë.