Cliff premton mbështetje të Britanisë së Madhe për FSK-në
Ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), Haki Demolli ka pritur sot në takim, Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ian Cliff.
Lajme
Ministri Demolli e njoftoi ambasadorin Cliff për gjendjen në MFSK dhe FSK si dhe me disa prej planeve për zhvillimin e tyre në të ardhmen.
Ministri i FSK-së, Haki Demolli gjithashtu, u shpreh mirënjohës mbi zhvillimin, të arriturat dhe rezultatet e MFSK/FSK, të cilat janë edhe rezultat i planit bilateral të bashkëpunimit në mes të ministrisë së FSK-së dhe ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar.
Ambasadori Ian Cliff, tha se FSK-ja ka arritur rezultate të mira sa i përket zhvillimit të kapaciteteve, gjithashtu në rekrutimin e gjinisë femërore si dhe minoriteteve.
“Ne jemi të lumtur që deri më tani kemi realizuar një varg aktivitetesh në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit dhe kemi arritur që ta përkrahim ministrinë dhe Forcën e Sigurisë, në shumë fusha si me këshillime, shkollime, trajnime e drejtime tjera”, ka thënë ai.
Ministri Demolli dhe Ambadadori Cliff konfirmuan se bashkëpunimi i dyja shteteve, përkatësisht ministrisë për FSK dhe ministrisë të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojë edhe në të ardhmen me intensitet edhe më të shtuar.
Kjo ishte vizita e parë e Ambadadorit Ian Cliff në ministrinë për FSK, prej që ministri Haki Demolli ka pranuar detyrën e ministrit të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Po ashtu, ambasadori Ian Cliff pati takim të veçantë edhe me Komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastratin, ku u bisedua për format e realizimit të bashkëpunimit në fushat konkrete në mes FSK-së dhe Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar, transmeton Kosovapress.