Shqiptarëve nuk u lejohet ndërtimi në lagjen Kroi i Vitakut

Nazmi Ismjali, përfaqësues i banorëve shqiptarë të lagjes “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës, është arrestuar të martën rreth orës 11:00 nga policia e Kosovës të stacionit veri, derisa po punonte në betonimin e pllakës së shtëpisë së tij.

Lajme

23/12/2014 14:35

Shqiptarët që jetojnë në veri të Mitrovicës vazhdojnë të përballen me probleme gjatë ndërtimit të shtëpive të tyre.

Një fat të tillë po e përcjellë edhe Nazmi Ismjalin, përfaqësues i banorëve shqiptarë të lagjes “Kroi i Vitakut”.

Ai sot është arrestuar nga policia në veri të Mitrovicës, ku për rreth një orë është intervistuar dhe më pas është liruar, ndërsa është sugjeruar të mos vazhdojë punimet në rindërtimin e shtëpisë deri sa të mos pajiset me leje.

“Po është e vërtetë. Më kanë arrestuar dhe mbajtur në polici rreth një orë. Më kanë thënë se nuk guxoj të vazhdoj punimet, deri sa të marr leje për këtë punë. Pse unë duhet të pajisem me leje që kam jetuar këtu edhe para luftës, ndërsa serbët, edhe ata bile që nuk kanë jetuar këtu fare, ndërtojnë pa leje dhe pa problem”, ka thënë për Kosovapress Ismajli.

Ai është shprehur i vendosur të vazhdojë punimet në ndërtimin e shtëpisë së tij, por thotë se do të presë pak ditë deri sa të teret pllaka e betonit.

Ndërkaq, zëvendës kryesuesi për komunitete i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, Emir Azemi, duke folur për Kosovapress, e ka quajtur arrestimin e sotëm të turpshëm.

Sipas tij, ky arrestim ka karakter politik dhe është presion ndaj shqiptarëve që të mos kthehen në shtëpitë e tyre në veri.

“Kërkoj që këto praktika të marrin fund njëherë e përgjithmonë dhe që shqiptarëve të veriut t’u mundësohet kthimi në tokat e tyre pa kushtëzime”, theksoi Azemi, duke shtuar se ligji duhet zbatuar njëjtë për të gjithë dhe jo në mënyrë selektive.

Edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, e ka dënuar arrestimin e sotëm të Nazmi Ismajlit.

Sipas tij, kjo nuk ka të bëjë me asnjë shkelje të ligjit por me qëllime të caktuara.

“Nuk mundet të punoj kush si të dojë në këtë vend, dhe unë natyrisht se do të marr masa dhe të punoj në mënyrë që të ruhet paqja dhe qetësia në mesin e qytetarëve”, ka thënë Bahtiri.

Në anën tjetër, Kosovapress-i ka provuar të kontaktojë përgjegjësit e policisë në veri në lidhje me ngjarjen, por pa sukses.

Ndryshe, gjatë ditës së hënë, inspektorët serbë të komunës në veri të Mitrovicës, dy herë kanë vizituar punimet në ‘Kroin e Vitakut’ ku kishte filluar rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve, dhe kanë kërkuar ndërprerjen e punëve./KosovaPress/